Depozitat e shqiptarëve në banka janë pakësuar gjatë muajit tetor. Sipas të dhënave nga banka e Shqipërisë, totali i depozitave bankare ra me rreth 2 miliardë lekë. Sistemi bankar shqiptar zotëron aktualisht depozita në vlerën e 983 miliardë lekëve ose rreth 7.9 miliardë euro.
Depozitat në valutë dhe sidomos në euro vazhdojnë të dominojnë në kursimet e shqiptarëve. Statistikat tregojnë se ato përbëjnë 54% të totalit dhe nuk po bien, pavarësisht masave të deeuroizimit dhe pavarësisht zhvlerësimit të euros në kursin e këmbimit valutor me lekun. Kjo tregon se shqiptarët vazhdojnë të besojnë euron si monedhën për të ruajtur vlerën e kursimeve të tyre.
Veç faktorit psikologjik, euroizimi i theksuar i tregut shqiptar ka një ndikim të madh në këtë drejtim. Fakti që blerjet në vlerë të madhe, si për shembull pasuritë e paluajtshme apo automjetet kuotohen në euro, i shtyn shqiptarët që edhe kursimet t’i mbajnë në monedhën europiane.
Depozitat në lekë zënë 46% të totalit dhe vazhdojnë të bien. Për tetorin, ato u tkurrën me dy miliardë lekë, ndërsa kudnrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë, rënia ishte rreth 14 miliardë lekë.