Festivali mbarëkombëtar i komedisë “KoKo Fest ‘22” ka bashkuar sërish artistët, në edicionin e nëntë, në qytetin e Korçës. Janë shtatë shfaqje teatrore në konkurrim, si dhe shfaqja “Tregtari i Venedikut” nga teatri “Andon Zako Çajupi”, me regji nga Qëndrim Rijani është përshëndetëse, që do të jetë në skenë më datë 10 shtator.
Festivali u çel më 3 shtator, nga teatri “Aleksandër Moisiu” me komedinë “Të prezantoj Babain”. Më pas, ishte teatri “Bekim Fehmiu” nga Prizreni, me shfaqjen “Provo dhe një herë Sam”.
Këtë mbrëmje në skenën e teatrit të Korçës, vjen komedia “A flasim për burrat”: premton humor, situata, marrëdhënien mes tri shoqeve të ngushta, të cilat kanë shumë për të thënë. Kjo komedi ka qenë më parë në disa skena teatrore, por këtë mbrëmje do të jetë në skenën e këtij festivali teatror mbarëkombëtar. Me regji nga Andeta Radi, në role janë aktoret e njohura: Rozana Radi, Belliu Blerta dhe Lola Meta.
Komedia, pas një suksesi më parë, në skenat e Korçës, Tiranës, Durrësit, etj, nuk ka munguar dhe në Gjakovë, në festivalin e teatrit. Më herët si aktore, Blerta Belliu ka treguar për shfaqjen, se bashkëpunimi nisi si një ide e tri aktoreve bashkë, për të bërë një shfaqje vetëm me femra dhe për të marrë një tekst si teksti i Sara Bogatit, që është vënë disa herë në skenë, në mënyra të ndryshme.
“Lindi ideja që dhe ajo që do të vinte pjesën teatrore në skenë të ishte femër dhe të bëheshin 4 femra bashkë. Pra, tre ne aktoret bashkë me Andetën. Teksti është përkthyer dhe përshtatur, nga Rozana Radi”, – shprehet Belliu.
Çfarë mund të ndiqni netëve në vijim
Pas teatri të Korçës, që do të prezantohet këtë mbrëmje me komedinë “A flasim për burrat”, ditën e nesërme, më 6 shtator, do të vijë në skenë “Pak Pakt”, që është një vepër e re bashkohore, një komedi e zezë që më parë shënoi premierën në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, në “ArTurbina”.
Festivali mbarëkombëtar i komedisë ”KoKo Fest”, që prej disa vitesh zhvillohet në qytetin e Korçës, bën bashkë artistët, ku nuk mungojnë edhe çmimet që ndahen nga juria e festivalit. Pas Teatrit Eksperimental, në vijim do të jetë dhe teatri i Shkodrës me “Gjaja”, teatri i Elbasanit me shfaqjen “Jashtë bie borë”, ndërsa konkurrimin e mbyll teatri i Tetovës, më 9 shtator, me “Borgjezi fisnik”.
Sakaq, një natë më pas është shfaqja përshëndetëse e teatrit të Korçës mikpritëse.
Në edicionin e tetë të festivalit të komedisë, çmimin e shfaqjes më të mirë e rrëmbeu “Ferma e kafshëve”, nën interpretimin e aktorëve të Teatrit Kombëtar, ndërsa Driada Dervishi fitoi çmimin “Regjia më e mirë” dhe “Aktori më i mirë” protagonist, u vlerësua artisti Gentian Zenelaj. “Vdis duke qeshur” ishte premiera që çeli natën e parë të këtij, gjatë edicionit të tetë.