MENU
klinika

Nga Shakira, te Xavi

Arsyet që çuan në tërheqjen e Gerard Pique

04.11.2022 - 13:42

Gerard Pique surprizoi të gjithë fansat e futbollit dhe jo vetëm kur deklaroi se ndeshja e radhës së Barcelonës në Camp Nou ndaj Almerias, do të ishte e fundit në karrierë për të.

Mbrojtësi largohet si një ikonë e klubit me të cilin fitoi të gjitha trofetë ndërsa ishte pjesë thelbësore e një prej 11-tësheve që konsiderohen si nga më të mirat në historinë e Barcelonës, por edhe të historisë së futbollit.

Por, cilat janë arsyes e lëvizjes surprizë të Pique? Në Spanjë mundohen t’i japin përgjigje kësaj pyetje dhe të futen në mendimet e 35-vjeçarit. Shkaku kryesor është humbja e protagonizmit, sidomos në këtë sezon. Klubi afroi disa mbrojtës në merkato duke e bërë të qartë se Pique ishte jashtë planeve.

Një tjetër arsye e fortë që duket se ka ndikuar drejtpërdrejtë në vendimin e Pique për t’u larguar nga futbolli, është edhe ajo ndeshje me Interin në Camp Nou. Mbrojtësi ishte vendimtar në sensin negativ me gafat e tij në mbrojtje duke penalizuar skuadrën që në fund u eliminua nga grupet e Champions për të vazhduar aventurën europiane në Europa League.

Arsyeja e radhës? Tifozët! Pique e kishte humbur mbështetjen e katalanasve në Camp Nou. Vërshëllima dhe kontestime të shumta për mbrojtësin, pikërisht si rezultat i formës së dobët të shfaqur në fushë, por edhe një krisje e marrëdhënieve për shkak të çështjes së rrogës me Pique që nuk pranoi të bënte skonto.

Shqetësimet fizike të shndërruara në kronike janë një tjetër arsye pse Pique u detyrua të largohej në mesin e sezonit. Shqetësimet e spanjollit vijojnë prej sezonit të kaluar dhe pavarësisht se këtë sezon ishin më pak aktive, sërish frika ekzistonte.

Problemet personale janë gjithashtu një arsye e fortë. Ndarja me Shakirën ndikoi edhe në gjendjen psikologjike të Pique, aq më tepër kur ajo mori përmasa të jashtëzakonshme publike dhe në media dolën edhe debatet e nxehta të ish-çiftit.

Në fund, por jo më pak e rëndësishmja. Premtimi për trajnerin dhe mikun e tij, Xavi Hernandez. Pique u lajmërua në fillimin e sezonit nga trajneri se në merkato do të transferoheshin mbrojtës të rinj. Por, ai këmbënguli se do të luftonte për statusin e titullarit dhe se do ta meritonte atë me paraqitjet në fushë, ndryshe do të tërhiqej pasi nuk mund ta mbyllte karrierën si një zëvendësues me Barcelonën.

Pique dështoi të ishte në lartësinë e duhur dhe në këtë formë iu nënshtrua premtimit ndaj Xavit për të pasur një fund më të lumtur me ekipin ku shpenzoi plot 16 sezone dhe u shndërrua në një nga mbrojtësit më të vlerësuarit e historisë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN