Autori i vrasjes makabre të 8-vjeçarit Mateo Vasia në fshatin Gracalli të Fierit refuzon pjesëmarrjen në seancat gjyqësore. Edhe gjatë ditës së djeshme, ai mungoi në sallën e gjyqit në Gjykatën e Vlorës me pretendimin se ishte i sëmurë.
Kjo ka bërë që trupi gjykues të urdhërojë që Klodian Çalamani të merret me forcë nga ana e policisë dhe të paraqitet në sallën e gjyqit.
Shkak për vendimin është bërë një shkresë nga 38-vjeçari që i ka dërguar Gjykatës duke deklaruar se është në gjendje të rënduar shëndetësore.
Gjatë seancës së djeshme, në sallën e gjyqit ishin të pranishëm edhe familjarë të 8-vjeçarit të ndjerë, përkatësisht prindërit e viktimës, si dhe halla e tij.
KRIMI
Ka qenë pasditja e 15 nëntorit 2021, kur nëna e Mateos ka dhënë alarmin për moskthimin e djalit në shtëpi pasi kishte shkuar në shkollë. Ka merat e sigurisë në zonë, të cilat janë këqyrur nga hetuesit, kanë zbuluar momentet e fundit të 8-vjeçarit, i cili kishte biseduar për disa momente dhe kishte pedaluar në rrugët e lagjes me biçikletën e atij që do të bëhej vrasësi i tij.
Pas këtij momenti, Policia ka ushtruar kontrolle në banesën e 38- vjeçarit Klodian Çalamani, i cili, jetonte i vetëm në banesë.
Trupi i pajetë i vogëlushit është gjetur i groposur në një nga cepat e banesës së autorit, i mbuluar me baltë.
Para se kryente krimin e rëndë, duke e vrarë fëmijën me kazma dhe lopata, autori i krimit, Klodian Çalamani, e ka përdhunuar atë.
Dy janë akuzat që Prokuroria e Fierit ka ngritur ndaj burrit, ajo e “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur me dhunë” dhe “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese ndaj të miturit”, vepër kjo që parasheh dënim maksimal.
“Gjatë kontrollit të banesës është dalluar një pjesë toke e punuar, ku pas gërmimit, u gjet trupi pa jetë i viktimës. Në këto kushte, është bërë prangosja dhe shoqërimi i të dyshuarit K. Çalamani. Në analizë të të gjitha provave të grumbulluara, rezulton e provuar se i pandehuri, para se të kryente veprën penale të ‘Vrasjes në rrethana cilësuese ndaj të miturit’, ka konsumuar fillimisht veprën penale të ‘Marrëdhënies seksuale ose homoseksuale me të mitur me dhunë’.
Pas kryerjes së aktit homoseksual me dhunë ndaj të miturit, i pandehuri Klodian Çalamani, ka kryer vrasjen me sende të forta kazmë e lopata”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë.