Zbardhen të tjera detaje nga rrethanat e aksidentit të rëndë në të cilin u përfshi një 26-vjeçar shqiptar në Greqi, i cili i mori jetën një vajze të re greke e cila po kalonte rrugën.
Protothema shkruan se shqiptari teksa drejtonte automjetin, fillimisht humbi kontrollin dhe kaloi në korsinë tjetër, ku ka përplasur dhe më pas tërhequr zvarrë Emën 21-vjeçare në rrugën Egnatia në Selanik.
Kështu ka deklaruar avokati i familjes, Nikos Roussopoulos, duke mohuar atë që 26-vjeçari shqiptar ka pretenduar në lidhje me rrethanat e aksidentit.
Madje sipas dëshmive, mësohet se shqiptari, pasi e ka përplasur 21 vjecaren dhe e ka marrë zvarrë, e ka goditur sërish me makinë teksa po largohej nga vendi i ngjarjes.
Shqiptari fillimisht ka deklaruar se ka qenë vajza e re e cila i ka dalë përpara makinës së tij dhe se ai nuk ka mundur dot të shmangë përplasjen.
Për të zbardhur të vërtetën ka ndihmuar dhe dëshmia e pasagjerit 19-vjeçar me shqiptarin si dhe dëshmitarë okularë të cilët kanë treguar se automjeti doli nga rruga dhe përplasi në korsinë tjetër të renë e cila ishte duke kaluar nga njëra anë në tjetrën.
Ndër të tjera avokati i familjes së të ndjerës ka zbuluar se nga çanta e 21-vjeçares janë vjedhur 1500 euro teksa ajo ishte e gjakosur dhe pa ndjenja në mes të rrugës pas aksidentit.