MENU
klinika

Nga Bedri Islami

8 Dhjetori, dita e ëndrrave dhe e dyshimeve

08.12.2022 - 15:15

Është e pabesueshme ta mendosh se u bënë më shumë se tri dekada që nga dhjetori i vitit 1990 dhe tani, në mbyllje të këtij viti, shumë gjëra, tepër shumë, të cilat as që mund të mendoheshin, kanë shkuar kaq prapsht. Nga vizioni i 8 dhjetorit kanë mbetur pak gjëra, më të shumtat janë humbur në këtë rrjedhë vitesh, klasa e re politike, e nisur nga sheshi i Studentëve nuk është më; nga 339 themeluesit e PD-së ka mbetur në struktura vetëm një, Sali Berisha; shumicës socialiste i prin sot një njeri që donte shkatërrimin e së majtës dhe asokohe shfaqej si i djathtë ekstrem; nga skena politike janë dëbuar shumë nga ata që e nisën dhe, shteti është nëpërkëmbur deri në rrënjët e tij.

Edi Rama, anarkisti i vitit 1990, jo rastësisht deklaroi se vendi i tij ishte në PD, por aty kishte qenë “tokë e xanun”, e jo vetëm nga komunistët e përvëluar, por edhe nga disa idealistë të rrallë, të cilët do të flakeshin shumë shpejt, pasi vendin e tyre do e zinin bashkëpunëtorët e Sigurimit.

Për më tej se kaq, do e zinin edhe bashkëpunëtorë të shërbimeve të huaja, ndonjëri prej të cilëve do të ngjitej në shkallët më të larta të drejtësisë, pasi kishte dënuar me vdekje desidentët e paktë dhe krerë të kishës katolike.

Sali Berisha, i deleguari i Alisë tek studentët e prishi aq rëndë Shqipërinë, sa askush tjetër në vendin e tij. Askush tjetër, deri tani, nuk ka prishur kaq shumë ëndrra që lidhen me 8 dhjetorin dhe, në të njëjtën kohë nuk i ka sjellë kaq shumë dëme këtij vendi.

Meta, student i dhjetorit është një ndër oligarkët e politikës dhe të financës. Ndoshta më i fuqishmi prej tyre, që në pak kohë, ka sjellë primitimizmin e politikës dhe kthimin e saj në një klan familjar, ku merita më e madhe është joshja e të rinjve përmes dogmëa dhe parasë.

Një tufë “liderësh” të tjerë duken si foshnjërakë para këtij klani mbërthyes.

Atëherë pse u ngritën studentët? Për të qenë kaq larg Europës si tridhjetë vite më parë? Për këtë klasë politike që po e shqyen vendin si një kërmë dhe majmur veten? Për oligarkinë e re politike apo “bllokun” e ri të politikanëve që u zgjuan një mëngjes pa brekë dhe në darkë janë milionerë?

Nëse do të ketë ndonjëherë SPAK të vërtetë, le të shpërngulet në Lalëz, në resortat luksoze dhe të bëjë pyetjen e parë: Si i bletë këto vila?

Si ndodhi që Shqipëria e shumicës, e vitit 2022 është po aq lakuriq, e drobitur dhe me krye në hi? Si ndodhi kjo? Përse ëndrra u bë fatalitet?

Fillesat e një lëvizje janë rrënjët e saj dhe përmes tyre mund të ngrihet një strukturë e denjë për të bartur vizionin evropian, aq të dëshiruar nga njerëzit e zakonshëm. Si ishte fillesa e dhjetorit 1990 dhe përse ajo rëndon ende sot mbi politikën shqiptare Fatalitet apo mendësi shqiptare?

Fillesa:
Në paraditen e 8 dhjetorit 1990 rastisi të isha në Qytetin Stu­de­nti. Shefi im i gazetës, Spiro Dede, më kishte thënë se do të ishte mirë, nëse do të bëja një shkrim-reportazh, por, – nguli këm­­bë ai, – nuk ka gjë pse mund të jetë ndryshe. Spiro Dede është një­ri ndër dy shefat e mi si gazetar, së bashku me Namik Doklen dhe, me të dy, ishte e lehtë të punoje.

Në Qytetin Studenti ishte qetësi, por gri-ja e asaj dite dukej kudo. Më shumë se një qytet studentor, ishte një qytet i ngrirë. Gjithçka ishte e zbrazët, ndoshta edhe nga që të ftohtët sapo kish­te filluar.

As mendja më e specializuar nuk do të thonte se kjo do të ishte një ditë pikëkthese në historinë e vendit, ashtu si edhe sot, as­kush nuk mund të thotë nëse ishte gjithçka e përgatitur dhe pritej ve­tëm fi­tili, apo ngjarjet rrodhën spontanisht, vrull­shëm, ma­rra­­­mendshëm shpejt.

Sistemi ishte në shthurjen e tij të madhe. Në janarin e atij viti ishte synuar të hidhej busti i Stalinit në Shkodër, më tepër se gjith­çka një akt simbolik proteste, pasi askush nuk kishte ndër mend të mbro­nte një gjeorgjian që u kishte punuar qindin gji­thë kombësive të një shteti të madh si Bashkimi Sovjetik. Kish­te pasur lëvizje pro­te­ste në aq shumë raste, herë këtu e herë aty, sa që shumëkush e din­te se godina e ngritur në më shumë se 4 dekada, ishte gati në të shembur.

Nuk bëra asnjë shkrim asaj dite. Udhëtova drejt Shkodrës dhe ve­tëm në mëngjes herët, nga një telefonatë familjare, mësova se asaj nate po lëvizte boshti i një vendi.

Ngjarjet tashmë dihen: asnjëherë ky vend nuk ka patur më shumë shpresa se sa nga 8 dhjetori i vitit 1990 deri në marsin e vitit pa­sues. Asnjëherë më shumë ëndrra nuk ka pasur. Një shumicë dër­muese e njerëzve ishin stërlodhur. Pushteti atë që premtonte të ta jepte në darkë, ta hiqte në mëngjes.

Dhe dhjetori i vitit 1990 ishte padyshim dhjetori më ëndërrues që ka pasur ndonjëherë ky vend, për të sjellë pas vetes kaq shumë zhgënjime, pyetje e dyshime, të cilat, edhe në këto kohë të hapura të informacionit, kanë mbetur brenda enigmës së tyre.

Enigma e parë:
Ishte e përgatitur nata e 8 Dhjetorit apo gjithçka ishte spontane; shteti e dinte se çfarë po bëhej gati të ndodhte apo ishte aq sylesh sa që të mos e kuptonte? Kishte dijeni udhë­heqja e lartë e Partisë së Punës apo vetëm dy a tre njerëz në hie­rarkinë e saj? Ishte e për­gatitur që të fillonte pikërisht nga stu­dent­tët, shumica e të cilëve, me pak përjashtime, vinin nga familje të lidhura me pushtetin, ndryshe nuk merrje dot të drejtën e studimit, apo kjo ishte zgjidhja e minutës së fundit? Ishte gjithçka nga padurimi studentor apo vetë brenda radhëve të tyre kishte filluar një lëvizje e re opozitare?

Udhëheqja e lartë e PP-së e dinte se ishte në të plasur. Infor­ma­ci­one, të bëra të njohura më pas, të ministrit të Punëve të Bren­dshme, Hekuran Isai, dërguar Ramiz Alisë dëshmojnë për këtë. Dihet edhe përgjigja e këtij të fundit se çfarë mund të na bëjnë studentët, për këtë mërzitesh ti.

Jam i bindur, nga zhvi­llimet e mëtejshme, se shumë nga trupa drejtuese e partisë – shtet nuk kishin informacione të tilla, ndoshta nga që rreziku i një lëvizje ekstreme nga brenda tyre, do të ishte më me pasoja, për ato elementë që mund të paraqiteshin me prirje liberale, aq sa mund të gjendeshin prirje të tilla.

Njohja me disa nga materialet e atyre muajve, korrik – dhjetor 1990, dëshmojnë se e gjithë gjendja shpërthyese njihej nga një pa­kicë drejtuese dhe lejohej po prej saj. Disa vendime të kohës, një­ri nga të cilët, ai që nuk e cilësonte më aktin e arratisjes si tradhti, ishte një hapje rruge, por vetë kupola nuk mund të hapte të gjithë rrugën. Ajo, si duket, bëri trazimin dhe më pas, të tjerët e hapën atë.

Enigma e dytë:
Pse 8 dhjetori? Ishte një ditë e zgjedhur rastë­sisht, një ngecje në sistemin e organi­zimit të një planifikimi të ngadaltë dhe të frikshëm njëkohësisht për planifi­kuesit, apo u gjet rastësisht një defekt elektrik në Qy­tetin Studenti?

Defekte të tilla kishte pasur kurdoherë. Jo vetëm në 8 dhjetor. Jo vetëm asaj nate. Jo vetëm në atë qytezë studentore, por kudo. Me­gjithatë, asgjë nuk kishte lëvizur. Shumë njerëz dilnin në terri­nën e krijuar në rrugicat e rrugët e qyteteve ku banonin dhe sha­nin, si i thonë, me të parë e të fundit, gjithë pushtetin. Disa vite më parë kjo do të ishte harakiri. Tani po bëhej e zakonshme.

8 Dhjetori nuk u zgjodh rastësisht. Partia –shtet ishte para shumë zhvillimeve dramatike. Droja që kishte ardhur pas ngjarjeve në Rumani, i kishte bërë të mendonin për kokën e tyre. Çuditërisht ato ditë në gazetën Zëri i Popullit, gazetari i njohur, miku im i mirë, Astrit Nuri, kishte bërë një shkrim provokativ me titullin: Kush tha se koha e komunistëve ka mbaruar, dhe, mjeshtë­risht, kishte dhënë mesazhin se të gjithë po e presin këtë fund.

Astrit Nuri kishte bërë një blasfemi, do të qortohej nga “lart”, por shkri­mi përhapi një të vërtetë se njerëzit e duan këtë fund. Pra, sa më shumë që shkohej drejt fundit të dhjetorit, aq më shu­më ngjallej dyshimi i përsëritjes së skenarit rumun, që po ashtu kishte ndodhur në dhjetorin e një viti më parë.

Me përjashtime të vogla, studentët që e filluan asaj nate protestën e tyre, aq sa ishin ëndërrorë, aq nuk ishin në dijeni të asnjë vep­rimi që bëhej diku larg, në një ndërtesë që ata synonin ta shem­bnin. Ata ishin ëndërrorë, përballë kishin një trupë politike të regjur me lojrat e politikës, të cilët, edhe pse po e përhapnin zja­rrin vetë, këtë herë përmes një defekti elektrik, shpresonin që në këtë zjarr të ngrohnin duart dhe të mos u digjeshin gështenjat.

Enigma e tretë:
Si doli Azem Hajdari në krye të kësaj lëvizje? Megjithëse ai është shpallur Hero i Demokracisë, më shumë nga akti i vrasjes së tij, për shumicën e shqiptarëve, ai vazhdon të mbe­tet njeriu më enigmë në Lëvizjen e Dhjetorit dhe, njëkohë­sisht, nje­riu që nuk duhej të ishte aty.

Azemi ishte studenti me armë, i cili kishte lidhjet me të qeta dhe jo pa gjë pas, me Sigurimin e Shtetit. Nuk ishte banor i atij qyteti dhe lidhjet e tij me studentët ishin të jashtënatyrshme, kjo edhe për shkak të moshës së ndryshme. Më shumë se njeri i politikës, më pas ai do të cilësohej si njeri i sherreve, i hyrjeve dhe daljeve në partinë që drejtoi pak ditë, herë do të shpallej njeriu që organizoi vrasjet e 2 prillit në Shkodër, akuzë nga vetë partia e tij, herë hero; herë do e mallkonin dhe tani dërgojnë lule.

Vetëm një herë në jetë e kam parë Azem Hajdarin, me 1 prill 1991. Menjëherë pas zgjedhjeve të 31 marsit, ku PD-ja kishte fi­tu­ar qy­tetet dhe Partia e Punës kishte fituar fshatrat, por që ishte ende shumicë. Shkodra, ku PD-ja kishte humbur vetëm në një zonë, ishte e trumhasur, e mekët dhe në pritje.

Në rrugën kryesore të qytetit shëtisja me mikun tim gazetar, Jani Malo, kur, pikërisht në qendër të qytetit, ku ishte asaj kohe selia e PD-së, njerëzit po grumbulloheshin dhe po fliste Azem Hajdari. E gjithë fjala e tij ishte thirrje për luftë.

– Çfarë thotë ky gomar, thashë pak me zë të lartë, nuk e di ky se kjo është fitore e Pirros dhe nuk ia vlen të derdhet gjak?

Jani Malo më tërhoqi nga krahu dhe më tha të bëj kujdes, se njerëzit janë gjaknxehtë dhe nuk dihet se çfarë ndodh. 2 Prilli filloi nga fjala e Azem Hajdarit. Nuk do të kishte ndo­dhur. Lideri i dhjetorit, për të cilin nuk e di se çfarë roli kishte pasur në natën e 8 Dhjetorit dhe kush e kishte dërguar, por me 1 prill në Shkodër atë e dërgoi krimi i një dite më pas.

Kam lexuar shumë për dërgimin e tij në lëvizjen studentore. Shu­më gjëra janë në mjegull. Nuk e di se kush e dërgoi, por jam i bin­dur se, nëse do të kishin dashur të dërgonin një më të pra­pshtë, nuk do të mund ta kishin gjetur.

Enigma e katërt:
Kush e dërgoi Sali Berishën? Që Sali Berisha nuk ka shkuar me kokën e tij, kjo tashmë dihet, pasi, më herët ai është thirrur nga Xhelil Gjoni dhe është dërguar për të qetësuar lëvizjen studentore, të cilës po i printe „një tropo­jan“. Ai shkoi aty sëbashku me Besnik Mustafajn. Mustafaj njihej si një intelektual „kundër“, i cili, jo vetëm dëgjonte, por edhe fli­ste.

Dy vite para dhjetorit 1990, një natë, ndërsa ishim sëbashku në Shkodër, Mustafaj do të ishte njeriu i parë „brenda pushtetit“ që do të më fliste aq shumë kundër Enver Hoxhës dhe regjimit dhe i kam qenë gjithnjë mirënjohës, veçanërisht për besimin.

Berisha njihej si intelektual dhe mjek i mirë, por çfarë kërkonte ai për të shuar një lëvizje studentore? Fjalimet e para të tij, sidomos pjesët ku flet për Ramiz Alinë, janë si dy pika uji me citimet që i bëri Enver Hoxha kur e propozoi si presidentin e ardhshëm të vendit. Cilësimet e tij për Enver Ho­xhën, si njeriu që bëri luftën nacional çlirimtare, ishin po ashtu një reminishencë e Alisë… Të dy burimet kanë një adresë: Ramiz Alinë.

Në natën e 8 Dhjetorit, kur ai ishte fillikat në shtëpinë e Alisë, as­kush nuk e di se çfarë është biseduar, dhe, sapo del, Mustafaj i thotë se, eja të shkojmë, mbaroji edhe kjo punë. Berisha i përgji­gjet, „Përkundrazi, tani filloi“.

Kur ishte nisur të „qetësonte“ studentët, ai kishte menduar se ishte një rrugë e shkurtër. Kur doli nga selia e Alisë tha se ishte vetëm fillimi.

Sikur, si i thonë, „me këmbë të kalit ta kishin kërkuar“ studentët, nuk do të mund të gjenin një lider më mjerueshëm mizor, deter­minues, të ankthshëm, frymëmarrës, mbi të cilin, vitet që erdhën pas dhjetorit 1990, bartën kaq shumë krime, shumica e të cilëve nuk janë thjeshtë politike.

Berisha rehabilitoi dhe thirri në skenën e politikës së tij, krahas ën­dërrorëve, edhe shumë figura të lidhura ngushtë me Sigurimin e Shtetit, dhe të devotshëm ndaj këtij sigurimi; ai thirri në skenë dhe rehabilitoi të gjithë strukturën e UDB-së, e dënuar në Shqi­përi dhe i dërgoi edhe në mjedise të rëndësishme politike, dalnga­dalë ai zuri frymën e çdo shprese dhe i dëboi ëndërrimtarët e dhjetorit të vitit 1990 me kamxhikun e dhunës dhe të shërbimit të tij sekret…

Nga 334 firmëtarët e krijimit të partisë së parë opo­zitare, ka mbetur vetëm ai në strukturat drejtuese.

Lëvizja e 8 dhjetorit 1990, e cila nisi nga Qyteti i Studentëve, më shumë si protestë e tyre se sa mendim i ri politik, do të ishte me­njëherë pas dy shtërngimeve; njëra, nga një pjesë e aparatit politik të kohës së atëhershme, që e ndodhur jashtë vemendjes dhe e mësuar të jetë sipërore, nuk e përtypte dot ndryshimin, dhe, nga ana tjetër, asaj do i suleshin menjëherë gjithëfarë amalgamash politike të një soji të ri gllaberues, të cilët, edhe pse nuk u shfaqën në ditët e para plotësisht të egërsuara, ata janë tashmë në boshtin e lëvizjes politike të vendit.

Enigmat që ka bartur mbi vete kjo lëvizje, sidomos në ditët që pasuan, kanë qenë gjithnjë mbi zhvillimet që rodhën më pas dhe që vazhdojnë të jenë të pranishme. Disa prej tyre janë zbardhur, nëse mund të ketë zbardhje të enigmave; disa të tjera ende janë të arkivuara dhe ndoshta një ditë do të jenë qartësisht të lexueshme.

Enigma e pestë:
Hapja e portës së një partie të re politike, opozitare fillimisht, hapje që u bë dykanatësh, lejoi vërshimin e gjithçkaje, duke shkatërruar fillimet e shpresës së një brezi që nuk kishte përse të jetonte si etërit e tyre. Përse? Kaq ngutshëm?

Ajo që mendohej të quhej Partia e Studentëve, me herësinë e saj në 8 dhjetor, do të quhej Partia Demokratike, dhe, mjerisht, të gjithë ata që ishin fillestarët, me ndonjë përjashtim të vogël, nuk do të jenë më.

Si dhe përse ndodhi hemoragjia e tyre? Disa emra të njohur të kësaj lëvizje do të dëboheshin ose do të vetëlargoheshin që në fillim, si Tefalin Malshyti, Shinasi Rama, Ar­ben Lika. Më i shquari prej tyre, Arben Broci, do të vritej befa­sisht. Shumë të tjerë do të merrnin arratinë, çka nuk e kishin bërë edhe në një kohë të pashpresë.

Kujt i interesonte dëbimi i studentëve dhe ngritja e trasesë për një lloj tjetër? Studentët, për vetë moshën e tyre, nuk ishin të indoktrinuar ma­rrë­zisht e as nuk mund të bartnin mbi vete fajet e një të shkuare. Ata, duke dashur ndryshimin, donin Shqipërinë. E donin si ve­ten, dhe jo më kot, në parullat e tyre të para, që, sa ishin politike, aq ishin edhe emancipuese, ata mbanin portretet e Ismail Kada­resë dhe të Rexhep Qosjes. Përfytyrim i ecjes përmes mendjes drejt Evropës, por tashmë si një komb i tërë, jo si pjesë të ndara.

Studentët për pak kohë u bënë të huaj për vetë çka deshën të ndërtojnë. Më kanë treguar për një rast, të cilin edhe e kam publikuar më he­rët. Njeriu që më tregonte, ishte mik i imi dhe ndodhej bane­sën ku është bërë mbledhja themeluese e Degës së PD-së në Shko­dër. Ajo mbledhje nuk kishte filluar deri sa kishin gjetur dhe kishin sjellur Pjetër Arbnorin. Do të bëhej fjalë për zgjedhjen e kryetarit të Degës dhe propozimi nga qendra do të ishte Pjetër Arbnori.

Studentët në mbledhje nuk ishin të një mendje. Arben Broci do të thonte se „zgjedhja e tij nuk është e kohës, pasi, sapo ka dalë nga burgu i gjatë politik dhe gjërat kanë ndryshuar. Zgje­dhja e tij, sidomos me të shkuarën familjare, do i bënte njerëzit të mendonin se po vijmë si hakmarrës, jo si bashkues“.

Arbnori, i cili edhe më pas u rebelua dhe tashmë është gjysëm i mohuar edhe nga „të tijtë“, u zgjodh, dhe Arben Broci i tha sho­kut të tij pranë se, „do ia shoh sherrin fjalës sime“.

Kjo ndodhi. Largimi i studentëve vrullshëm nga partia e parë opozitare kishte qëllimin e saj të përcaktuar qartë: duheshin larguar ata për t’i ha­pur rrugën disa të tjerëve.

Enigma e gjashtë:
Kush ishin të tjerët? Po të kthehesh pas në kohë, thuajse të gjitha të dënuarit politikë për veprimtari agjenturore, do i gjeje në opozitën e sapokrijuar. Për pak kohë në Shqipëri do të amnistoheshin de fakto të gjithë ish bashkë­punëtorët e shërbimit të fshehtë serb, e po ashtu të Asfalisë greke, për të mos shkuar tek bashkëpunëtorët e shërbi­meve perë­ndi­more, të cilët thuajse u shpallën heronjtë e kohës.

Sidomos u sulën dhe u bënë pjesë e opozitës ish bashkëpunë­torët e UDB-së. Këto zëvendësuan studentët, të rinjtë dhe, në një shumicë dërmuese, intelektualët që mund të kishin qenë në thellësi­në e tyre opozitarët e pazëshëm, por të ditur.

Njëri nga të reabilituarit e sigurimit të fshehtë serb, i njohur si Majori, do të kishte më pas një vend të rëndësishëm në Mini­strinë e Punëve të Jashtme, do të drejtonte edhe marëdhëniet me Lidhjen Demokratike, por edhe emigracionin shqiptar, sidomos të Kosovës. Një tjetër, i njohur si „Pashtriku“, do të zinte vend të lartë në hierarkinë e shtetit shqiptar.

Bashkëpunëtorë të tjerë të shërbimit të fshehtë serb, të shfaqur si biznesmenë, u bënë të përditshmit e opozitës. Figura të tjera të njo­hura për lidhjet e tyre me UDB-në, e që, përmes saj, kishin in­ve­stuar në Perëndim, u bënë donatorët e opozitës.

Shumë prej tyre nuk ishin as antikomunistë e as demokratë. Ishin thjeshtë njerëz të shitur tek padroni i tyre. Nuk e donin Shqi­pë­rinë, jo se ishte një vend komunist, por sepse atdheu i tyre ishte bërë shteti serb. Ata nuk e deshën Shqipërinë edhe kur ajo u bë „demo­krate“. Ishin ndër promovuesit e parë të shkatërrimit të vle­rave, mohuesit e gjithçkaje që ishte ndërtuar në këtë vend, që nga gjuha e njësuar shqipe e deri tek arti.

Të jetë rastësi vërshimi i tyre? Një njeri i afërt me Bulatoviqët dhe pjesë e stafit të Millosheviqit, ishte ndër të parët që erdhi fshehtas në Tiranë, u takua me Azem Hajdarin, filloi financimin e opozitës dhe, megjithëse njihej lëvizja e tij, askush nuk mori as mundimin të pyeste:përse? Vetëm pas vitit 1997 atij iu prishën pronat që kishte blerë me paratë e dikujt tjetër.

Enigma e shtatë:
Në ditët e para lëvizja do të kishte emërin dhe vulën studentore. Shteti i kohës u tregua më i mënçur se sa ishte menduar, ose ishte përgatitur më gjatë se sa të tjerët për këtë ditë.

Kur studentët ende nuk e kishin kërkuar pluralizmin, shteti mo­nist u dha atë. Ia afroi në një pjatë, në një mbledhje rutinë të Ko­mitetit Qendror, ku thuajse askush nuk ishte kundër. Dukej se edhe ata, antarët e Plenumit, e kishin pritur. Çudia ndodhi. Pak javë më parë, e gjithë kjo trupë, kishte mallkuar e leçitur Kada­renë për një akt që nuk ishte më as krim shtetëror, largimin e tij nga atdheu. Tani po miratonte largimin e vetëvetes nga pushteti.

Nuk e dinin ata se ngjarjet e mëpasme do të kishin edhe rroku­lli­mën e tyre?

Me siguri që po. Ata e dinin këtë, dhe, edhe sikur të mos kishin di­tur asgjë, këtë e dinin. Vendet e dikurshme socialiste nuk ishin edhe aq larg, në mos tjetër, viti 1956 ne Hungari dhe viti para­ar­dhës, 1989, një vit më parë në Rumani, u kishte mësuar se mëria mund të përplasej edhe mbi to.

Megjithatë, ata e dhanë pushtetin. Të lejosh opozitë, do të thotë ta sjellësh atë në pushtet. Ky është një postulat i njohur politik.

Por deleguan të vetët: ose njerëzit, të cilët në familjet e tyre kishin fillesë të njëjtë, pra ishin familje të një rangu të mesëm komunist, ose, edhe përtej saj, disa prej tyre të kishin qenë bashkëpunues të ngushtë të pushtetit, në të gjitha hallkat e saj.

Me ndonjë përjashtim të paktë, të gjithë ata që ndërtuan partinë e parë antikomuniste në vitin 1990, ishin ose vetë komunistë, ose nga familje të njohura komuniste. Ndonjë përjashtim, si Aleksan­der Meksi, vetëm e vërteton rregullin. Ishin edhe pjesë të intele­gjencës së lidhur me Sigurimin e Shtetit.

Edhe në anën tjetër, Partia e Punës, delegoi njerëzit e saj: komu­nistë ose nga familje të lidhura ngushtë me pushtetin. Bashkoi në një tavë të llastuarit e pushtetit me ata që vërtet kërkonin të ndry­shonin Shqipërinë. Ndër këto të fundit më të shquarit do të ishin Spiro Dede, Dritero Agolli, Namik Dokle, Arta Dade, Etëhem Ru­ka, Limoz Dizdari, Xhevat Lloshi, Ismail Lleshi, Ermelinda Meksi, Moikom Zeqo. Të tjerët ishin shumicë. Kthesa e tyre ndaj do të ishte vështirë e besueshme. Në fund të fundit, pushteti i djeshëm, atë, që kishte bërë në lojën me një portë, filloi ta bënte në lojën me dy porta. Lojtarët kishin qenë pjesa rezervë.

Por, ndërsa socialistët e dinin këtë dhe do të kishin reformimin e tyre, të ngadalshëm, por gjithnjë në lëvizje; opozita e vitit 1991 do të shkonte drejt thellimit te shuarjes se 8 dhjetorit dhe kthimin e saj ne nje mauzole të vjetër, që duhet si përkujtim, por që nuk hyn më në punë për tjetërsimin e vendit drejt së mbarës.

E parafundit në shënimin tim:
Në Shqipëri kishte pasur disi­dencë, kishte pasur edhe disidentë, të dënuar politikë për bin­djet e tyre, por që e donin, më shumë se pushtetarët, këtë vend. Kishte pasur familje të shquara në dobinë e përkushtimin e tyre ndaj vendit, njerëz me emër, shtetformues.

Askush prej tyre nuk u thirr të bëhej pjesë e ndryshimit dhe e shpresës. Familjet e njohura, njerëzit e mënçur, u gjetën edhe një herë, jashtë portës. Loja kishte filluar pa to dhe duhej të vazh­don­te pa to, e, në rast se nuk bindeshin, kundër tyre.

Enigma e fundit në shënimin tim:
A kishin dorë, apo duar, shër­bimet fqinje në ngritjen e ngjarjeve të pas 8 dhjetorit? Jam i bindur, po. Kishin dorë. Në të vërtetë është edhe përtej saj, ishte dora e tyre ajo që sundoi. Sundoi e hekurt, shkatërrimtare, e egër dhe mohuese.

Nëse ata nuk e dinin 8 dhjetorin, do e dinin fare mirë 2 prillin e vitit 1991, dhe në fakt, i vetmi TV që bëri regjistrimet e dy diteve të para të këtij muaji, do të ishin malazezët.

Nëse shërbimet e huaja nuk e dinin se do të kishte zhvillime në 8 dhjetor, edhe kjo nuk është aq e sigurtë, ata e dinin dhe vendosën për hegjemoninë e pushtetit berishian në kupolën e opozitës. Bënë të gjitha çka mundën për ta bërë këtë, edhe përmes presi­onit të hapur politik. Në fakt, duke zgjedhur të gjithë kupolën, qoftë edhe përmes afishimit të tyre në „Zëri i Amerikës“, ku Elez Biberaj nuk ishte i panjohur në punët e Shqipërisë; duke bërë subvencionimin e tyre, herë serb e herë grek, ata ndërtuan fillesën e një klase politike të egër, hakmarrëse e disa herë antikombit të tyre.

E gjithë çka kishin synuar të bënin në 50 vite rrjesht, e bënë në dy a tre vitet e para pluraliste.

Shqipëria shkoi në nivelin zero.
Një etashment i lidhur fort me Beogradin, që erdhi pastaj në Shqi­përi, dhe që kishte interesat e saj të forta financiare në investi­met e atjeshme, u bë edhe zëdhënësi i formimit të një klase politike që nuk do i duhej dreqit gjë.

Meritorët u dëbuan, intelektualët u mbyllën edhe një herë brenda vetes, studentët tashmë nuk do e kishin veten në atë që krijuan… asgjë nuk ishte e rastësishme. Do të kishim njëkohësisht dy dhjetorë: I pari, i shpresës, I dyti, i vrarë.