MENU
klinika

Bllokimi i Këshillit Mbikëqyrës

Banka e Shqipërisë nuk miraton dot buxhetin

04.12.2018 - 14:51

Të mërkurën, Banka e Shqipërisë duhet të zhvillonte mbledhjen e radhës të Këshillit Mbikëqyrës, ku çështja kryesore në diskutim ishte analiza mbi qëndrueshmërinë e sistemit bankar dhe financiar. Në fakt, mbledhja nuk do të zhvillohet sepse, për të tretën herë radhazi, Këshilli Mbikëqyrës nuk ka kuorumin e nevojshëm për të marrë vendime.

Që nga muaji i kaluar, Këshilli Mbikëqyrës ka ngelur me vetëm tre anëtarë. Mandatet e gjashtë prej anëtarëve kanë përfunduar, ndërsa Kuvendi i Shqipërisë ende nuk ka zgjedhur zëvendësuesit.

Tre prej tyre do të propozohen nga vetë Kuvendi, ndërsa tre nga Këshilli i Ministrave. Megjithëse qeveria i ka përzgjedhur tre kandidatët, procedurat e votimit të tyre në Kuvend ende nuk kanë nisur.

Bllokimi i Këshillit Mbikëqyrës ka prekur çështje shumë të rëndësishme, si vendimmarrja e politikës monetare dhe miratimi i buxhetit të Bankës së Shqipërisë për vitin 2019. Një tjetër çështje e bllokuar është shitja e aksioneve të Tirana Bank te konsorciumi i përbërë nga grupi Balfin dhe banka maqedonase Komercijalna Banka, që sipas ligjit duhet të miratohet nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë.

Qoftë edhe për një periudhë afatshkurtër, neglizhenca e pabesueshme e qeverisë dhe Kuvendit në emërimin e anëtarëve të rinj të Këshillit Mbikëqyrës pengon funksionimin normal të institucionit dhe përmbushjen e misionit të saj ligjor, por njëkohësisht edhe interesat e sipërmarrësve në tregjet e mbikëqyrura nga Banka Qendrore.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kandidaturat për Këshillin Mbikëqyrës

Seancë te “Ekonomia”, anëtarët e rinj të BSH-së

Këshilli ka ngelur me 3 anëtarë

Bllokohet vendimmarrja në Bankën e Shqipërisë