MENU
klinika

Nga vëllai i tij!

Princi William akuzohet për sulm fizik

05.01.2023 - 12:43

Në autobiografinë e tij të shumëpritur , “Spare”, Princi Harry tregon një sulm fizik nga vëllai i tij, William, tani Princi i Uellsit, pasi marrëdhënia e tyre u shpërbë për shkak të martesës së princit më të ri me aktoren Meghan Markle.

Duke përshkruar një konfrontim në shtëpinë e tij në Londër në vitin 2019, Harry thotë se William e quajti Meghan “të vështirë” dhe “të vrazhdë”.

“The Guardian” thekson se libri tregon për një debat mes vëllezërve për shkak të bashkëshortes së Princit Harry, Meghanit.

Konfrontimi u përshkallëzua, shkruan Harry, derisa William “më kapi për jake, duke më grisur gjerdanin dhe … më rrëzoi në dysheme”.

Skena për të cilën Harry thotë se rezultoi me dëmtim të dukshëm në kurrizin e tij, është një nga të shumtat në “Spare”, e cila do të publikohet në mbarë botën javën e ardhshme dhe ka të ngjarë të ndezë një zemërim serioz për familjen mbretërore britanike.

“Ai më kapi për jake, më prishi varësen që mbaja në qafë dhe më rrëzoi në dysheme. U përplasa në tasin e qenit, i cili u plas nën shpinë, copat më prenë. U shtriva për një moment i trullosur, pastaj u ngrita në këmbë dhe i thashë të dilte jashtë”, citon “The Guardian” të ketë shkruar Princ Harry.

Kujtimet nuk do të publikohen deri të martën e ardhshme, por “The Guardian” raporton se ka siguruar një kopje të librit “Spare”.

Në libër thuhet se debati u shaktua nga komentet që Princi William i bëri Princit Harry në shtëpinë e tij në Londër në vitin 2019. Princi Harry shkruan në librin e tij të kujtimeve se vëllai i tij ishte kritik për martesën e tij me Meghan Markle.

Princi Harry shkruan se vëllai i tij e nxiti atë të kundërpërgjigjej dhe ai refuzoi ta bënte këtë, por Princi William më vonë u duk “i penduar dhe kërkoi falje”.