Qeveria e Francës prezantoi të hënën një projektligj, që parasheh ndryshime të mëdha në sistemin e pensioneve.
Për më tepër, ato do të rrisin moshën e pensionimit nga 62 në 64 vjeç.
Sindikatat nuk janë të kënaqura dhe më shumë se një milion njerëz protestuan javën e kaluar kundër kësaj mase. Protesta të tjera dhe greva u paralajmëruan për datën 31 janar.
Çfarë dëshiron të ndryshojë Qeveria e presidentit Emmanuel Macron dhe pse? Çfarë do të thotë për punëtorët dhe pse kaq shumë njerëz janë kundër?
Sistemi i pensioneve
Të gjithë të pensionuarit francezë marrin pension shtetëror. Financimi i sistemit bazohet në rishpërndarjen e një takse specifike – nga ata që punojnë tek ata që janë në pension.
Parashikimet janë që sistemi të zhytet në deficit dekadën e ardhshme, për shkak të plakjes së popullsisë.
Pensioni mesatar këtë vit është 1.400 euro në muaj, pasi të zbriten taksat.
Sistemi është kompleks dhe me dallime, varësisht profesioneve dhe sektorit privat dhe publik. Disa lejohen të dalin në pension të parakohshëm, përfshirë ushtarët, oficerët e policisë dhe njerëzit me punë të vështira fizike.
Plani i Qeverisë franceze
Qeveria thotë se ndryshimet do ta bëjnë sistemin financiarisht të qëndrueshëm.
Punëtorët që kanë lindur në vitin 1961 dhe që është dashur të dalin në pension këtë vit, do të duhet të punojnë edhe tre muaj shtesë.
Të lindurit në vitin 1968 e këndej duhet të jenë së paku 64 vjeç dhe të kenë punuar 43 vjet për të pasur të drejtën e pensionit të plotë.
Ata që nuk i plotësojnë kushtet – si shumë gra që kanë ndërprerë karrierën e tyre për t’i rritur fëmijët ose ata që kanë pasur periudha të gjata studimesh dhe kanë filluar të punojnë vonë – do të duhet të presin deri në moshën 67-vjeçare për të marrë pension të plotë.
Ata që kanë filluar të punojnë nga mosha 14 deri në 19-vjeçare, do të lejohen të marrin pension të parakohshëm, si dhe personat me probleme të mëdha shëndetësore.
Qeveria thotë se ndryshimet do të mundësojnë edhe rritjen e pensionit minimal për 100 euro, përkatësisht në rreth 1.200 euro.
Kundërshtimi i masave të planifikuara
Sondazhet e opinionit tregojnë se shumica e francezëve janë kundër planit. Protestat e së enjtes – shfaqja e parë publike e rezistencës ndaj masave – mblodhën turma më të mëdha njerëzish se viteve të kaluara.
Tetë sindikatat kryesore të punëtorëve të Francës janë duke i bërë thirrje Qeverisë që të heqë dorë nga masa e moshës.
Është hera e parë që nga viti 2010 që të gjitha sindikatat i bashkojnë forcat kundër një reforme të planifikuar.
Kundërshtarët thonë se ka mënyra të tjera për të siguruar financimin e pensioneve – për shembull nëpërmjet një takse për të pasurit ose rritjes së kontributeve në listën e pagave, që paguhen nga punëdhënësit.
Shumica e partive opozitare u zotuan se do të zhvillojnë një betejë të ashpër kundër projektligjit në Parlament.
Çfarë tash?
Ndryshimet janë përfshirë në një projektligj për ndryshimin e buxhetit, i cili është paraqitur zyrtarisht në një mbledhje të kabinetit, të hënën. Ato do të fillojnë të debatohen në Parlament më 6 shkurt.
Aleanca e qendrës e Macronit ka humbur shumicën parlamentare vitin e kaluar, megjithatë përbën ende grupin më të rëndësishëm në Asamblenë Kombëtare.
Përndryshe, Qeveria mund të shfrytëzojë një kompetencë të veçantë për ta kaluar ligjin pa votim, por një veprim i tillë do të vinte me çmimin e kritikave të mëdha. Projektligji më pas do të duhej të votohej nga Senati.
Qeveria synon ta miratojë projektligjin deri në verë, në mënyrë që ndryshimet të hyjnë në fuqi në shtator. Megjithatë, planet e saj mund të prishen, varësisht shkallës së protestave dhe kohëzgjatjes së tyre./ REL