MENU
klinika

Analiza e Project Syndicate

Të heqësh dorë kur je në majë…

16.02.2023 - 09:30

Muajin e kaluar, Jacinda Ardern, kryeministrja 42-vjeçare e Zelandës së Re, dha dorëheqjen nga posti, megjithë mbështetjen e një shumice solide parlamentare dhe asnjë sfidë për udhëheqjen e saj nga brenda partisë së saj.

Zelandezët duhet të kthehen vetëm gjashtë vjet pas për të gjetur arsyen.

Në vitin 2016, John Key i habiti të gjithë kur në moshën 55-vjeçare i hapi rrugë zëvendësit të tij për të marrë detyrën.

Një vit më parë, Ashleigh Barty u bë australiania e parë që fitoi Australian Open në 44 vjet. Ajo ishte 25 vjeçe dhe tenistja më e mirë e femrave në botë për më shumë se 100 javë. Dy muaj më vonë, ajo njoftoi tërheqjen e saj. Po kështu, Björn Borg, kampioni suedez i tenisit, doli në pension në vitin 1983 në moshën 26-vjeçare dhe Anthony Kim, një yll në rritje i golfit, ishte gjithashtu 26 vjeç kur ndaloi së luajturi nëper gara.

Pse e bëjnë? Borg dhe Barty kanë dhënë arsye të ngjashme. Në fillim, tha Borg, i kishte pëlqyer të luante dhe të arrinte qëllimet që i vuri vetes. Sidoqoftë, në kohën kur ai doli në pension, argëtimi nga të luajturit tenis në atë nivel kishte humbur. “Në thelb, me kalimin e viteve, unë isha duke ushtruar, duke luajtur ndeshjet e mia, duke ngrënë dhe duke fjetur,” tha ai. “Por ka gjëra të tjera përveç këtyre katër gjërave.”

Barty njoftoi tërheqjen e saj në një video-bisedë me mikun e saj dhe ish-partnerin, Casey Dellacqua. “E di që është koha e duhur, tani, që unë të largohem dhe të ndjek ëndrrat e tjera dhe të heq dorë nga raketat”., tha ajo.

Lumturia e saj, vazhdoi ajo, nuk do të varej nga rezultatet e saj në fushën e tenisit dhe ajo nuk kishte më forcën fizike apo dëshirën emocionale për të vazhduar të sfidonte veten në atë nivel. “Është e rëndësishme që unë të shijoj fazën tjetër të jetës sime si Ash Barty, si njeri, jo si Ash Barty atletja.”

Në njoftimin e dorëheqjes së saj, Ardern shprehu ndjenja të ngjashme. “Kanë qenë”, tha ajo, “pesë vitet e gjysmë më të mira të jetës sime”.

Por “Unë e di se çfarë kërkon kjo punë,” shtoi ajo, “dhe e di që nuk kam më mjaftueshëm energji. Është kaq e thjeshtë.” Arritja në nivelin më të lartë të një aktiviteti të vlefshëm është një sfidë emocionuese dhe tejkalimi i sfidave mund të jetë i këndshëm; por të qëndrosh në majë për aq kohë sa mundesh është një çështje tjetër.

Siç tha Borg, ka gjëra të tjera në jetë përveç tenisit, dhe kjo është e vërtetë edhe për jetën në politikë.

Studimi i Harvardit për Zhvillimin e të Rriturve ka gjurmuar jetën e disa prej subjekteve të tij kërkimore për më shumë se 80 vjet, duke kërkuar përgjigje për atë që i bën ata të lumtur dhe të shëndetshëm. Disa nga rezultatet e tij sapo janë publikuar në The Good Life, nga Robert Waldinger dhe Marc Schulz. Edhe pse çdo përgjigje me një fjalë për pyetje të tilla është e detyruar të jetë një thjeshtim i tepërt, autorët megjithatë janë të përgatitur të thonë se çelësi i shëndetit dhe lumturisë janë marrëdhëniet e mira.

Pothuajse të gjithë ata që dalin në pension thonë se duan të kalojnë më shumë kohë me familjen. Në rastin e Ardern dhe Barty, ndoshta ky ishte një faktor i rëndësishëm. Ardern ishte vetëm kryeministrja e dytë, pas Benazir Bhutto të Pakistanit, që lindi gjatë kohës që ishte në detyrë. Ajo ka ndarë herë pas here momente me fëmijën e saj në rrjetet sociale, por tani do të mund të kalojë më shumë kohë me vajzën e saj dhe partnerin e saj, i cili ka qenë një baba që rri në shtëpi. Për Barty-n, dëshira për t’u bërë nënë mund të ketë ndikuar, pasi ajo tani është shtatzënë me fëmijën e saj të parë.

Normat shoqërore po ndryshojnë idetë tona për një jetë të mirë.

Ne po i kushtojmë më shumë vëmendje balancës punë-jetë sesa i kushtonim më parë, dhe me të drejtë. Jemi shumë më të hapur se sa dikur për shëndetin mendor; futbollistët tani e pranojnë se përballen me probleme të shëndetit mendor, diçka që më parë do të ishte konsideruar si e turpshme. Më shumë njerëz po e kuptojnë se suksesi në karrierë nuk duhet të barazohet me të jetuarit e një jete të mirë.

Ne gjithashtu duhet të pyesim se çfarë po bën karriera jonë për botën. Ndoshta ka gjëra më të mira që mund të bënim.

Jo të gjithë mund të zgjedhin të ndryshojnë rrjedhën e jetës së tyre. Disa përballen me mundësi të kufizuara punësimi, me pak mundësi nëse duan të vazhdojnë të ushqehen dhe të strehojnë veten dhe vartësit e tyre.

Udhëheqësit politikë mund të hezitojnë të largohen nga posti sepse besojnë se mund të bëjnë më shumë mirë se ata që do t’i zëvendësojnë.

Kur ky besim është i bazuar mirë, dhe jo një formë vetë-mashtrimi e nxitur nga natyra e pushtetit, siç ndodh shpesh, qëndrimi në detyrë mund të jetë ajo që duhet të bëjnë.

Ne të tjerët, megjithatë, kemi zgjedhje dhe shpesh duhet të pyesim veten nëse po jetojmë jetën më të mirë që mundemi – si për veten ashtu edhe për të tjerët.

PITER SINGER – Profesor i Bioetikës në Universitetin Princeton, është themelues i shoqatës bamirëse “The Life You Can Save”. Ai ka shkruar disa libra.

Burimi: Project Syndicate

Përktheu dhe përshtati: Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN