Gianni De Biasi, edhe pse lakohet shpesh nga mediet italiane, nuk po arrin të ulet në stolin e një skuadre, qoftë në Serie A, qoftë në ndonjë ekip tjetër kombëtar, që pas largimit nga stoli kuqezi.
De Biasi drejtoi për pak kohë vitin e kaluar Alaves në Spanjë, por prej një viti ai është thjesht opinionist në studio e RAI-t. Pas Botërorit, ai priste të merrte drejtimin e Polonisë, por gjithçka ndryshoi në fund.
U përfol pastaj në disa skuadra të Serie A, nga SPAL, Bologna apo edhe Lazio së fundmi, por kanë mbetur në kuadrin e fjalëve. Edhe në Shqipëri u tha se mund të rikthehej nëse largohej Panucci, por edhe kjo mundësi u sfumua pas rikonfirmimit të trajnerit aktual.
Ndërsa sot mediet italiane raportojnë se për De Biasin ka interes nga një tjetër ekip kombëtar. Bëhet fjalë për Azerbajxhanin, që duket se ka hedhur sytë nga tekniku italian.
Performanca jo e mirë në Ligën e Kombeve, aty ku azerët ishin në grup me Kosovën dhe u turpëruan në ndeshjen e fundit, bën që ata të kërkojnë një trajner tjetër cilësor, i cili mund të dërgojë skuadrën në Europian dhe De Biasi shihet si i duhuri.