Banka Europiane e Investimeve ka publikuar një raport të zgjeruar për performancën e sektorit bankar në gjysmën e dytë të këtij viti në vendte e Europës Qendrore dhe jug-lindore, mes të cilave edhe Shqipëria. Raporti analizon në mënyrë të zgjeruar ecurinë e këtij sektori në vendin tonë, si dhe jep projeksione për të ardhmen, ndërkohë që përpilohet më formën e anketës.
Aktualisht, kërkesa për kredi për shtëpi zë vetëm 20% të tregut, nën mesataren e vendeve të rajonit. Por ajo që bie në sy është projeksioni për 6 muajt e ardhshëm. Vetë aktorët e tregut presin që ky segment i kredisë të zërë 40% të tregut, ndërkohë që mestarja e rajonit do të jetë në rreth 25%. Këto pritshmëri duket se lidhen ngushtë me ecurinë e tregut të ndërtimit në vend, në një bum të paprecedentë gjatë muajve të fundit.
Bankat presin gjithashtu që kërkesa për kredi në valutë të huaj të bjerë nën 40%, nga rreth 60% që ka qenë gjatë 6 mujave të kaluara. Për kompanitë e mëdha nuk pritet një rritje e kërkesës për hua.
“Bankat kanë raportuar një rritje të moderuar si të kërkesës për kredi ashtu edhe kushteve të ofertës. Normat e kredive me probleme kanë vazhduar që të bien, por vijojnë të mbeten ndër më të lartat në rajon.”-thotë në terma të përgjithshme Banka Europiane e Investimeve, organi zyrtar huadhënës i Bashkimit Europian, ku aksionerë janë të gjitha vendet anëtare të unionit, sa i përket ecurisë së këtij sektori në vendin tonë.