Të dyja ndeshjet e orës 18:55 në Grupin G të Champions League kanë përfunduar me surpriza. Pavarësisht se Real Madrid e kishte siguruar kualifikimin dhe thuajse kreun e grupit, humbja 0-3 në shtëpi me CSKA e Moskës quhet turp. Por rusët nuk shkojnë në Europa League. Ndërsa Plzen mposht 2-1 Romën, por gjithsesi, italianët kalojnë grupin si vend i dytë.
Real Madrid kishte bërë shumë ndryshime në formacion, por aspak justifikuese për lojën e dobët. Miqtë nga Moska kanë kaluar të parët në avantazh në minutën e 37-të me anë të Chalov.
Pa kaluar as 6 minuta, rusët kanë shënuar përsëri. Schennikov mbyll pjesën e parë 0-2 dhe tifozët vendas nuk u besojnë syve. Në pjesën e dytë për madrilenët hyn Bale, por nuk zgjidh asgjë.
CSKA shënon edhe golin e tretë në minutën e 73-të me Sigurdsson. Ishte ky goli i nokautit, pasi pavarësisht se kishte mjaft minuta, dukej e pamundur të rikuperoheshin 3 gola. Ashtu ndodhi, CSKA mposht për të dytën herë në grup Real Madrid, por rusët nuk do të luajnë në Europa League.
Në sfidën tjetër, gjithcka ka ndodhurnë pjesën e dytë. Kovarik shënoi për vendasit e Plzen në minutën e 64-t. Por pas katër minutash turku Under barazon për Romën. Gjithsesi, Chory rikthen avantazin në minutën e 72-të.
Përfundon 2-1 për Plzen, që barazon CSKA-në në renditje, por për shkak të përballjeve në ndeshjet direkte, shkojnë në Europa League. 7 pikë në grup për çekët me siguri nuk ishin menduar kur u hodh shorti dhe tani mund të festojnë.