Që nga pushtimi i Ukrainës në shkurt, kërcënimi se do të përdoren armë të shkatërrimit në masë ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm. Shpesh janë hedhur akuza se të dyja palët kanë qenë duke punuar për “bomba të pista”, dhe së fundmi ka dyshime se Ukraina e ka marrë seriozisht dhe ka plane konkrete lidhur me këtë.
Një nga zyrtarët më të lartë të inteligjencës ruse tha të hënën se shpresonte se mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së dhe Bashkimi Evropian do të shqyrtonin aktivitetin bërthamor të Ukrainës, që mund të sinjalizojë se Kievi po punon për një “bombë të pistë”.
Sergej Naryshkin, kreu i shërbimit rus të inteligjencës së jashtme SVR, megjithatë nuk dha prova konkrete.
Ai tha se shërbimi i tij kishte informacion se një sasi e caktuar “karburanti të rrezatuar” ishte dërguar fshehurazi nga termocentrali bërthamor i Rivinës në Ukrainën perëndimore për t’u dorëzuar në objektet e magazinimit të karburantit të rrezatuar në Çernobil.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, mbikëqyrësi i OKB-së, hodhi poshtë deklaratën e Naryshkin, duke thënë se të gjitha lëvizjet e materialit bërthamor monitorohen.
Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Kievi në të kaluarën ka akuzuar Rusinë për papërgjegjshmëri kur bëhet fjalë për kontrollin e termocentralit bërthamor Zaporizhia në Ukrainën jugore.
Termi “bombat e pista” i referohet një pajisjeje që përdor eksploziv konvencional të përzier me materiale radioaktive të krijuar për të ndotur zona të mëdha.
Ato nuk janë përdorur kurrë në historinë e njerëzimit deri më sot, pavarësisht përpjekjeve të ndryshme të disa grupeve terroriste.