“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacienti: A shkaktojnë miomat infertilitet?
Pergjigjet mjeku obstetër-gjinekolog: Miomat janë tumore beninje (pra jo kanceroze!) të pranishme në rreth 20 – 40 % të femrave të moshës riprodhuese.
A shkaktojnë miomat infertilitet apo jo, kjo është një pyetje shumë komplekse. Një pjesë e femrave infertile do të kenë mioma, por janë dimensionet dhe lokalizimi i tyre që do të përcaktojnë ndikimin e tyre në fertilitet. Miomat që janë më të mëdha se 6 cm në diametër dhe ato të lokalizuara në brendësi të kavitetit uterin janë ato që kanë më tepër ndikim negativ mbi aftësinë
për të arritur një shtatzëni dhe të çuar një shtatzëni deri në lindjen e një fëmije. Në raste të rralla, miomat mund të lokalizohen në afërsi të hapjeve të tubave duke shkaktuar bllokime të tyre.
Shumica e femrave që kanë mioma nuk do të kenë vështirësi në arritjen e një shtatzënie. Nëse shtatzënia po vonon dhe kemi praninë e një miome, atëherë duhet të kërkohen faktorë të tjerë të mundshëm për këtë vonesë përpara se të kalohet direkt në heqjen kirurgjikale të miomës (miomave). Është mjeku specialist në fertilitet ai që do të përcaktojë rëndësinë e miomës dhe nevojën ose jo për intervent kirurgjikal (miomektomi).
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.