Nga James J.Coyle “The Hill”
Gjatë 18 muajve të fundit, Federata Ruse u bë perandoria e fundit që iu nënshtrua etjes për zgjerim të ndikimit të saj perandorak. Shtetet e Bashkuara e kishin zbuluar tashmë me luftërat në Vietnam, Liban, Irak dhe Afganistan, se ndërhyrjet ushtarake në vende të tjera mund të përfundojnë me disfatë, madje edhe për superfuqinë më të madhe në botë.
Por ekspansioni perandorak modern i Rusisë, nuk arriti që t’u mësonte udhëheqësve të saj këtë leksion shumë të rëndësishëm. Historia prej 3 dekadash e fitoreve (relativisht) pa gjak të Rusisë i gënjeu udhëheqësit e saj, deri në pikën që ata arritën ta besonin mitin e tyre të pathyeshmërisë.
Pavarësisht shembjes së Bashkimit Sovjetik, ushtria ruse është rikthyer në kufijtë e vjetër sovjetikë. Një ushtri ruse ka mbetur në Moldavi, në rajonin separatist Transnistria, që nga fillimi i viteve 1990. Po ashtu Rusia sulmoi dhe mori kontrollin e rajoneve të Abkhazisë dhe Osetisë Jugore në Gjeorgji pas luftës 5-ditore të vitit 2008.
Më pas Rusia pushtoi në vitin 2014 rajonin e Donbasit dhe gadishullin e Krimesë në Ukrainë. Kufijtë e Armenisë dhe Taxhikistanit patrullohen nga trupat ruse, dhe stabiliteti në Kazakistan në vitin 2022 u rivendos me mbështetjen e trupave ruse.
Po atë vit, trupat ruse u rikthyen në Azerbajxhan për të zbatuar një armëpushim të arritur me fqinjin e saj Armeninë. Jashtë kufijve të ish-Bashkimit Sovjetik, ndërhyrja ruse në Siri shpëtoi presidencën e Bashar Al Asadit dhe garantoi një shtrirje të bazës së saj detare në Mesdhe.
Ushtria ruse mund të jetë hija Ushtrisë së Kuqe të dikurshme, por vargu i saj i fitoreve ka qenë mbresëlënës. Ai e bëri Rusinë “kombin e domosdoshëm” në Evropën Lindore, Kaukazin Jugor dhe Azinë Qendrore. Asnjë luftë nuk mund të fitohej pa mbështetjen e Moskës, dhe asnjë paqe nuk do të ruhej pa dakordësinë e Rusisë.
Ose kështu dukej para shkurtit 2022, kur u detyrua të anulohej parada e fitores së rusëve në Kiev. Makineria e famshme ushtarake e Kremlinit u zhyt në baltën e trashë ukrainase, përpara se të dorëzonte shumicën e arritjeve të saj fillestare. Pasojat e disfatës po ndihen kudo.
Në Moldavi, qeveria ka dënuar hapur një komplot rus për organizmin e një grushti shteti.
Në konfliktin Armeni-Azerbajxhan, paqeruajtësit rusë mbeten të pafuqishëm, ndërsa Azerbajxhani po e rivendos sovranitetin e tij mbi rajonin e diskutueshëm të Karabakh.
Rusia është detyruar të informojë aleatët e saj të vjetër armenë se duhet ta pranojnë që armenët e Karabakut të jetojnë në Azerbajxhan. Në Kazakistan, qeveria është distancuar ndjeshëm nga Moska, duke sinjalizuar mbështetjen e saj për sovranitetin e Ukrainës.
Efektet e këtyre ndryshimeve nuk janë askund më të forta se në Evropë, ku tashmë Polonia po synon të bëhet superfuqia e ardhshme ushtarake, shtetet baltike po mirëpresin një prani të përhershme të NATO-s dhe Gjermania ka premtuar të riarmatoset kundër kërcënimit që vjen nga Lindja.
Ndryshimet më kataklizmike për Rusinë kanë ndodhur në veri të Detit Baltik, ku vendet neutrale të Finlandës dhe Suedisë aplikuan për t’u bërë pjesë e NATO-s dhe garantuar mbrojtjen nga Nenin 5. Putin pretendoi se pretendimet e Ukrainës për NATO-n ishin një kërcënim ekzistencial për Federatën Ruse – Kievi është, në fund të fundit, vetëm 11 orë me makinë nga Moska. Por Putin tani ndan një kufi të NATO-s me Finlandën, vetëm pesë orë me makinë nga Shën Petersburg.
Vendet në Jugun Global janë përpjekur t’i shmangin këto zhvillime, duke refuzuar që ta dënojnë Rusinë për agresionin e saj flagrant kundër një vendi fqinj, me shpresën e mbledhjes së disa thërrimeve nga madhështia e Moskës. Kjo nuk është një strategji e re.
Gjatë gjithë Luftës së Ftohtë, vendet brenda Lëvizjes së vendeve të Paangazhuara u përpoqën të vinin të dyja superfuqitë kundër njëra-tjetrës. Shenja më e madhe e kësaj sjellje është sot Kina. Pasi i cilësoi marrëdhëniet e saj me Rusinë si diçka më të afërt sesa thjesht një aleancë, ajo njoftoi se nuk do të ofronte ndonjë ndihmë ushtarake serioze për Rusinë.
Dhe së fundmi ka shkuar një hap më tej, duke deklaruar se do të ndalojë eksportin e dronëve të saj me përdorim të dyfishtë. Për ekuilibër, Amerika po mbështet palën fituese në këtë konkurrencë globale. Pavarësisht propagandës ruse dhe kineze se Amerika është një komb në rënie, ajo zotëron ushtrinë më të madhe konvencionale në botë.
Arsenali i saj bërthamor krahasohet vetëm me atë të Rusisë; ekonomia e saj është mrekullia e botës. Dhe Rusia ka bërë pothuajse e vetme diçka që Shtetet e Bashkuara nuk mund ta bënin: zgjerimin dhe ringjalljen e aleancës së NATO-s të udhëhequr nga Amerika.
Ekspertët po bëjnë thirrje për një zgjidhje të negociuar të konfliktit në Ukrainë. Ata duan që Vladimir Putin t’i sigurohet një mënyrë për t’i dhënë fund konfliktit, por duke i ruajtur njëherazi edhe nderin edhe jetën e tij. Megjithatë, sipas botëkuptimit të Putinit, i dukshëm për të gjithë që nga Konferenca e Sigurisë e Mynihut e vitit 2007, Amerika është një armike e paepur e Rusisë, e cila duhet të ndalohet nga imponimi i vlerave të saj në botën ruse. Negociatat nuk mund ta ndryshojnë dot këtë perceptim.
Ato mundet vetëm t’i japin kohë Putinit për t’u riarmatosur dhe rinisur luftën e tij me Perëndimin. Për këto arsye, SHBA-ja duhet të vazhdojë që ta mbështesë Ukrainën në luftën e saj për pavarësi nga hegjemonët e saj veriorë. Dhe njëkohësisht, ajo duhet të shohë mundësinë e veprimit edhe në fronte të tjera që do të dobësojnë dëshirën e Kremlinit për ta vazhduar luftën.
Ripërtëritja e lidhjeve me Kinën do të çojë drejt ftohjes së raporteve të kësaj të fundit me Moskën. Ndërkaq Amerika duhet të ndihmojë gjithashtu vendet e tjera që të përballen me pushtimin rus. Moldavia dëshiron të rivendosë sovranitetin mbi territorin e saj.
Nga ana tjetër, Armenia dhe Azerbajxhani nuk kanë nevojë për trupat ruse në kufi. Gjeorgjia nuk duhet të detyrohet nga një heqje dorë e njëanshme e forcës që Rusia nuk e ka kthyer kurrë. Ka ardhur koha që SHBA-ja të ndalojë së kërkuari dramën e ardhshme elektorale në Uashington dhe të rimarrë titullin e saj si udhëheqëse e Botës së Lirë.
Shënim:James J.Coyle, është një konsulent i pavarur për çështjet e sigurisë dhe pedagog në Pepperdine University. Më herët ka qenë drejtor i studimeve për Lindjen e Mesme në Kolegjin e Luftës të Ushtrisë Amerikane.