Kuvendi dhe qeveria më në fund kanë përzgjedhur anëtarët e rinj të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Komisioni i Ekonomisë dhe Financave i ka hapur dritën jeshile këtij procesi duke vlerësuar se të 6 kandidatët e propozuar plotësojnë kriteret ligjore.
Anëtarët e propozuar nga qeevria janë Ridvan Bode, Edlira Luçi dhe Suela Popa, ndërsa ata të propozuar nga Kuvendi janë Arben Malaj, Luljeta Minxhozi dhe Artan Hoxha.
Qeveria, në propozimet e saj, ka ndjekur kriterin e ekuilibrave politike, siç kishte ndodhur shtatë vjet më parë. Ish-ministri i Financave Ridvan Bode është përzgjedhur si përfaqësues i Partisë Demokratike, ndonëse vetë kjo parti nuk ka marrë pjesë në proces dhe nuk e njeh si kandidaturë të propozuar prej saj.
Suela Popa, ish-drejtore e Agjencisë së Zhvillimit Rural, është funksionare e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe bashkëshorte e deputetit Vangjel Tavo.
Ndër kandidatët, Arben Malaj është i vetmi që do të marrë një mandat të dytë në Këshillin Mbikëqyrës. Kandidatët e tjerë kanë një background kryesisht akademik.
Edlira Luçi është pedagoge në Fakultetin e Ekonomisë, Luljeta Minxhozi në Universitetin Europian të Tiranës, ndërsa juristi Artan Hoxha është dekan i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës.
Që nga muaji i kaluar, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka ngelur me vetëm tre anëtarë, sepse mandatet e gjashtë prej anëtarëve kanë përfunduar.
Kjo ka bërë që të dështojnë tre mbledhje radhazi të Këshillit Mbikëqyrës. Bllokimi i Këshillit Mbikëqyrës ka prekur çështje shumë të rëndësishme, si vendimmarrja e politikës monetare dhe miratimi i buxhetit të Bankës së Shqipërisë për vitin 2019.