MENU
klinika

“Prilli i thyer” – I. Kadare

Në veri, i vrari shqetësohej dhe jepte shenja kur nuk i merrej gjaku

19.12.2018 - 16:46

Në shoqërinë tradicionale shqiptare, veçanërisht në “segmente” veriore e verilindore të saj, ndryshimi i ngjyrës së gjakut në këmishën e të vrarit simbolikisht përcaktonte dinamikën e masave që duhej të merrnin të afërmit e tij për të kryer procesionin e gjakmarrjes. 

Këto kuptime simbolike i përshkruan me fuqi artistike të veçantë shkrimtari Ismail Kadare në romanin “Prilli i thyer”. Në vijim po e riprodhojmë të plotë këtë fragment:

Eja këtu, – i tha të birit me zë të butë.

Gjorgu u afrua. Poshtë, në oborr të kullës, te teli i rrobave qe nderur një këmishë e vetme.

Këmisha e tët vëllai, – tha gati me pëshpërimë i ati. Këmisha e Mëhillit.

Gjorgu nuk i hiqte sytë që andej. E bardhë, ajo fërgëllonte në erë, valëzohej, gufmohej hareshëm sipër telit. Pas një viti e gjysmë, qysh nga dita e vrasjes së vëllait, nëna e kishte larë më në fund këmishën, që fatkeqi e kishte të veshur atë ditë.

Për një vit e gjysmë rresht ajo, ashtu e përgjakur siç qe, kishte qëndruar e varur, siç e kërkonte kanuni, në katin e sipërm të kullës, duke pritur që të lahej vetëm pas marrjes së gjakut.

Thoshin se, kur njollat e gjakut mbi këmishë nisnin të zverdheshin, kjo ishte shenjë e sigurt se i vrari po shqetësohej që s’po i merrej gjaku. Barometër i pagabueshëm, këmisha tregonte nëse po bëhej vonë apo jo për shpagim. Me anë të saj, që nga thellësia e dheut ku qe shtrirë, i vdekuri dërgonte sinjalet e tij.

Sa herë, në orët e vetmisë, Gjorgu qe ngritur në atë kat të shkretë për të parë këmishën. Gjaku zverdhej e zverdhej gjithmonë. Kjo do të thoshte se i vdekuri s’gjente qetësi. Sa herë Gjorgu e kishte parë në ëndërr atë këmishë midis ujit dhe shkumës së sapunit, duke u larë, duke u zbardhur e duke farfuritur si qielli pranveror. Por, në mëngjes ajo ishte prapë atje, plot njolla të kuqerremta gjaku të tharë.

Dhe ja, tani këmisha ndehej më në fund sipër telit. 

Por nga kjo, Gjorgu, për çudi, nuk ndjente ndonjë lehtësim. Ndërkaq, si një flamur i ri që ngrihet pas uljes së flamurit të vjetër, në katin e sipërm të kullës së Kryeqyqeve qe varur këmisha e përgjakur e të sapovrarit.

Stinët e ftohta apo të nxehta do të ndikonin mbi ngjyrën e gjakut të tharë, lloji i pëlhurës së këmishës gjithashtu, por asnjeri nuk do të donte të dinte për to, dhe të gjitha ndryshimet nuk do të merreshin veçse si mesazhe misterioze, të cilave nuk mund t‘u kundërshtonte askush.

Ndoshta në asnjë kulturë tjetër të botës ndryshimi i ngjyrës së gjakut në këmishën e të vrarit nuk përcjell kuptime simbolike kaq komplekse si në kulturën shqiptare. 

Një ndryshim i tillë i ngjyrës së gjakut shprehte simbolikisht dhe komandonte marrëdhënie hipotetike dhe reale ndërmjet të vrarit, vetëkuptohet nga bota e përtejme me të afërmit e tij, veçanërisht me burrat e familjes e të fisit, si dhe ecurinë e konflikteve e të afërmve burra të të vrarit me burrat e familjes ose të fisit vrasës.

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale