MENU
klinika

Serie A e Premier League

Lazio dhe Arsenal identik, fitojnë nga 3-1

22.12.2018 - 15:30

Pas katër barazimesh dhe një humbjeje në pesë ndeshjet e fundit të kampionatit, Lazio është kthyer te fitorja mesditën e së shtunës. Bardhekaltrit kanë mundur 3-1 Cagliari-t në shtëpi, ndeshje e vlefshme për javën e 17-të të Serisë A.

Ky sukses u jep mundësinë bardhekaltërve të parakalojnë përkohësisht Milan-in në renditje dhe të marrin vendin e katërt. Takimi i luajtur në “Olimpico” është zhbllokuar në minutën e 12-të me një gol të Sergej Milinkovic-Savic, i cili nuk shënonte prej 90 ditësh në kampionatin italian.

Vendasit kanë dyfishuar avantazhin 11 minuta më vonë me Francesco Acerbi-n, i cili ka qenë në vendin e duhur në momentin e duhur. Bardhekaltrit kanë patur mundësinë për të thelluar rezultatin në pjesën e dytë dhe e kanë bërë një gjë të tillë në minutën e 67-të me Senad Lulic, i cili ka çuar shifrat në 3-0. Në minutën e 93-të ka ardhur edhe goli i vetëm i miqve, i shënuar nga Joao Pedro me penallti.

Ndërsa Arsenal është rikthyer te fitorja pas disfatës së javës së kaluar ndaj Southamtpon duke mposhtur Burnley me rezultatin 3-1. Njeriu i ndeshjes ishte Pierre-Emerick Aubameyang me dy golat e tij, ndërsa edhe Ozil rikthehet në formacion pas disa javëve pushim.

Me këtë fitore Topçinjtë mbeten në vend të pestë me pikë të barabarta me Chelsea-n e vendit të katërt dhe vazhdojnë të jenë në luftë për një vend mes katër më të mirëve.

Vendasit e nisën mirë ndeshjen në një Emirates me shumë vende të boshatisura këtë pasdite të shtunë dhe Aubameyang gjen golin e avantazhit në minutën e 14’ pas një aksioni të bukur. Ozil jep një top fantastik te Kolasinac i cili ia dërgon qendërsulmuesit nga Gaboni që e shtyn pa probleme topin në rrjetë.

Pas pushimit ishte përsëri Aubameyang që u shërbye shumë mirë nga partneri i sulmit Lacazette dhe lëshon një predhë të pakapshme në drejtim të portierit Joo Hart.

Por Burnley rifutet në lojë me Barnes në minutën e 63’ i cili përfiton nga një rrëmujë në zonën kundërshtare. Gjithsesi, Arsenal mbeti në kontroll të sfidës dhe në minutën e 91’ siguron fitoren me golin e Iwobi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN