Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula është shprehur se kolegët e tij në opozitë janë kërcënuar nga deputetë apo edhe ministra nga radhët e mazhorancës.
Ai thekson se janë përmendur edhe familjarët e deputetëve opozitarë për kërcënime, ndërsa shkon edhe më tej duke thënë se këto kërcënime mund të ndodhin shumë shpejt edhe nga radhët e bandave.
“Mazhoranca kërkon ta asgjësojë totalisht opozitën. Po ju them që ka intimidime me forma të caktuara duke iu kërkuar deputetëve të opozitës që të mbyllin gojën.
Deputetë të mazhorancës, ministra, i thonë: Ku i keni familjarët. Ky është kërcënim. Madje, mund të vijë ora që ne mund të kemi kërcënime dhe nga bandat, ndoshta edhe ka pasur edhe pse mua nuk më ka ndodhur. Ka element të tillë.
Ne jemi copë-copë si opozitë, mirë mazhoranca do të na zhdukë fare, por në vend që të na inkurajoni, bëni të kundërtën”, tha Dash Sula i ftuar në A2 CNN.