Portieri dhe kapiteni i Laçit, Gentian Selmani, duket se e ka kthyer në traditë të vetën bamirësinë. Për të dytin vit radhazi, në prag të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, futbollisti i talentuar ka nxjerrë diçka nga xhepi i tij dhe familjes, duke blerë dhurata dhe dërguar ato te fëmijët e “Zyber Hallulli”.
Pakot me dhurata të ndryshme brenda iu janë shpërndarë fëmijëve me probleme të këtij institucioni, të cilët janë lumturuar shumë, duke përjetuar një ditë disi ndryshe nga të tjerët.
Ka qenë vetë Selmani, ai që është takuar me drejtoreshën e “Zyber Hallullit” dhe fëmijët, ka biseduar me ta dhe iu ka dhënë dhuratat.
Një veprim tejet human i portierit të Laçit, që tregon se në këtë botë, bamirësia nuk të varfëron. Një shembull për t’u ndjekur edhe nga kolegët e tij, por jo vetëm, sidomos në kohë të tilla festash, ku jo të gjithë fëmijët e gëzojnë ngrohtësinë e prindërve, marrjen e dhuratave prej tyre e të tjera.