2 fitore radhazi, 7 gola të shënuar. Man.United jep shenja jete, por sërish zona Champions mbetet e ndërlikuar, 8 pikë larg Aston Villa-s. “Djajtë e kuq” thyen pastër 3-0 West Ham duke iu falur edhe një herë dyshes Hojlund-Garnacho.
Sulmuesi danez zhbllokoi ndeshjen në minutën e 23-të me një veprim shumë të bukur, ky ishte goli i tij i katërt në katër ndeshjet e fundit. Me fillimin e pjesës së dytë, Garnacho me një predhë të vërtetë dyfishoi shifrat. Talenti argjentinas u kthye në protagonist kryesor në pjesën e dytë, teksa në minutën e 83-të realizoi golin e dytë personal duke hipotekuar fitoren e Man.United.
Me apo pa Brojën në skuadër, Chelsea vijon rënien e lirë. Blutë pësuan një humbje të rëndë 4-2 brenda në “Stamford Bridge” përballë Wolves, një humbje që vendos ndjeshëm në dyshim të ardhmen e trajnerit Pochettino. Me 31 pikë, Chelsea renditet në vendin e 11-të duke qenë shumë larg “zonës euro”. Bashkëshortja e Thiago Silva-s reagoi publikisht duke kërkuar shkarkimin e tij ndërsa tifozët e cilësuan një kloun.
Nëse situata nuk ndryshon shpejt, nuk është aspak çudi që drejtuesit e klubit të marrin një vendim drastik, pavarësisht se do të kishte një kosto të lartë financiare.