Golat e Robert Levandovskit nuk rreshtin për Barcelonën dhe polaku vijon të jetë vendimtar për ekipin e Ksavit. Edhe atëherë kur duket se sezoni është i mbrapshtë për të, polaku di të ringrihet.
Formulën se si ia del e ka shpjeguar vetë: I falem eksperiencës time! Për Levandovskin nuk ka rëndësi nëse skuadra është në gjendje të mirë apo të dobët, apo nëse vjen nga një seri e mirë apo nga një seri negative. Në fund ai gjithmonë përfundon, duke treguar dhe shfaqur instinktin e tij “vrasës”, që e ka ndihmuar të qëndrojë në Olimpin e futbollit për më shumë se një dekadë. Te Barcelona, me dygolëshin e shënuar në Vigo, ai jo vetëm i dha fitoren dhe tri pikët ekipit, por arriti shifrën e 50 golave në të gjithë kompeticionet, duke lënë pas David Vijën (48) dhe Tierri Henrinë (49) në listën e golashënuesve historikë të klubit katalanas. Në fakt, këto pesëdhjetë gola e vendosin atë vetëm dy gola pas një sulmuesi aq të njohur në kohën e tij si Geri Lineker (52) dhe dhjetë pas një prej miteve të mëdhenj të tifozëve të Barcelonës, Johan Krojf (60).
Tani për tani, Robert tashmë zë vendin e 56-të në listën e golashënuesve më të mirë të të gjitha kohërave të Barcelonës. Natyrisht, për të arritur golashënuesin më të mirë në historinë e klubit, Leo Mesi (672) do të duhej të kishte të paktën po aq ose më shumë jetë sesa një mace. Por merita e madhe e Levandovskit, përveç faktit që ai ka ardhur te Barcelona në fund të karrierës së tij dhe me klubin në një krizë ekonomike të paprecedentë, është se ai ka arritur të arrijë 50 gola në vetëm 79 ndeshje, duke treguar një mesatare spektakolare, 0.63 gola për ndeshje. Sulmuesi i ka shpërndarë këto pesëdhjetë gola si më poshtë: 35 në La Liga, gjashtë në Champions, një në Europa League, katër në Superkupën e Spanjës dhe katër të tjerë në Kupën e Mbretit. Një pjesë e mirë e këtyre golave, gjithsej 23, ndihmuan që sulmuesi polak të shpallej “Pichichi” (golashënuesi më i mirë) në sezonin e kaluar dhe që Barcelona të fitonte titullin kampion në Spanjë.
Në këtë edicion ai po llogarit një konkurrencë të ashpër me yllin e Realit Xhgud Bellingam, i cili tashmë ka realizuar 16 gola, katër më shumë sesa polaku. Ndërkaq, rendimenti i Levës ka qenë disi më i ulët në Europë, ku ka shënuar vetëm 7 gola deri më tani: gjashtë në Champions League dhe një në Europa League. Shifra disi zhgënjyese për një sulmues të kalibrit të tij, prandaj ndeshja e së mërkurës ndaj Napolit paraqitet si një skenar ideal për t’u “shfajësuar” edhe në kompeticionin kontinental, ku meqë ra fjala ai vazhdon të jetë golashënuesi i tretë më i mirë në histori, me 92 gola, i lënë pas vetëm nga dy “bisha” konkurruese si Kristiano Ronaldo (140 rrjeta) dhe Lionel Mesi (129).