MENU
klinika

Kampioni i Formula 1

Sot mbushen 5 vjet nga aksidenti i Schumacher

29.12.2018 - 11:31

Si sot 5 vjet më parë, Michael Schumacher pësoi aksidentin tragjik me ski dhe 7 herë kampioni i botës në Formula 1 ende nuk është rehabilituar. Ngjarja e rëndë ndodhi ne Alpet franceze, me pilotin gjerman që pësoi dëmtime të rënda në kokë, çka solli operacionin e menjëhershëm.

Nga ajo kohë, ka nisur faza e rehabilitimit të Schumacher, por çdo lajm që qarkullon për gjendjen aktuale të legjendës së Formula 1 është një “quiz”. Rehabilitimi vazhdon në sekret të plotë, në shtëpinë e Michael në Zvicër, ku dihet vetëm që një staf prej 15 mjekësh e infermierësh kujdesen 24 orë për të.

Lajmet zyrtare nga familjarët apo menaxherja e pilotit janë me pikatore dhe nuk japin asgjë konkrete në lidhje me gjendjen e tij, nëse ecën apo njeh njerëzit që ka përreth.

schumacher
schumacher

Aksidenti tragjik ndodhi më 29 dhjetor, në malin Maribel, në Francë. Piloti u transportua në një spital në Grenoble, në gjendje kome, ku u konfirmua një dëmtim i rëndë në kokë (traumë). Ndërhyrja kirurgjikale ishte e menjëhershme.

Mjekët konfirmuan se operacioni i parë shkoi mirë, por se është i nevojshëm një ndërhyrje e dytë, pasi situata ishte ende e rëndë. Ky operacion i dytë bëhet për të ulur fryrjen dhe enjtjen e trurit.

Në prill të 2014-s, familja e tij tha se piloti ka momente përmirësimi, që është i vetëdijshëm dhe është rizgjuar nga koma e gjatë e më pas piloti doli nga spitali i Grenoble, ku qëndroi për 6 muaj.

michael schumacher
michael schumacher

Në shtator të vitit 2014, familja shtoi se rehabilitimi i Michael do të vijojë në shtëpinë e tyre në Zvicër: “Duke parë dëmtimet e mëdha e të shumta në kokë, janë bërë disa progrese kohët e fundit, por rruga është e gjatë dhe e vështirë”, – tha familja e tij një vit pas aksidentit.

Në shkurt të vitit 2016, Sabine Kehm, menaxherja e pilotit, tha: “Me mbështetjen dhe durimin e të gjithëve, një ditë piloti do të jetë sërish mes nesh”. Lajmi se “piloti mund të ecë”, i publikuar në mediat gjermane (revista Bunde) përfundoi në gjykatë, me familjen që fitoi procesin.

Nga ajo kohë, pak lajme, veç një deklarate të ditëve të fundit të Jean Todt, presidenti i FIA, që tha se ka parë garën e fundi në Brazil së bashku me 7 herë kampionin e botës. Lajm që rikthen shpresat se një ditë do të mund të shohim kampionin gjerman. Të gjithë luten që një ditë Michael Schumacher të ngrihet e të flasë…

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Devid Bekam e dëshiron si trajner të Mesit

Silvinjo shfaqet në radarët e Inter Majemit