Një episod i rrallë ka ndodhur sot në Serie A të kampionatit italian në ndeshjen mes Chievo-s dhe Frosinone-s, me protagonist Marco Capuano-n e ekipit mik. Në minutën e 58 të ndeshjes, gjyqtari Rochi e dërgoi në dhomat e zhveshjes me të kuq, për dy faulle të njëpasnjëshme në të njëjtin aksion loje.
Capuano për secilën ndërhyrje meritonte të verdhin. Ai fillimisht bëri faull ndaj Birsa në gjysmëfushën kundërshtare, për të cilin u sinjalizua nga gjyqtari se do të ndëshkohej.
Por ndërkohë, “xhaketa e zezë” la lojën në vazhdim dhe pak sekonda më vonë, futbollisti i Frosinone-s bëri një tjetër ndërhyrje të parregullt, këtë herë ndaj De Paoli.
Gjyqtari i nxori menjëherë lojtarit të kuqin, duke i treguar me gjeste se ishte pasojë e dy të verdhave për faullet që kishte kryer brenda pak sekondash. Rast unik dhe shumë i rrallë, por sot në Serinë A është aplikuar sipas manualit.