MENU
klinika

Qeveria shqiptare jep 900 milionë lekë

Mançester Siti sjell pesë trofe në Tiranë

07.04.2024 - 17:58

Mançester Siti do të zbarkojë këtë muaj në Tiranë, në kuadër të bashkëpunimit me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, për një shkollë futbolli të klubit anglez që pritet të hapet në Durrës.

“Panorama Sport” zbulon detajet e një ekspozite që Siti do të krijojë në Tiranë ku me vete do të sjellë 5 trofetë e fituar sezonin e kaluar. “Champions League”, “Premier League”, “UEFA Supercup”, “FA Cup” dhe “FIFA Club World Cup” janë pesë trofetë e Mançester Sitit që do të ekspozohen në një nga sallat e kryeministrisë. Ndërkohë mendohet që të ketë edhe një ekspozitë tjetër te “Sheshi Italia”.

Siti do të dërgojë edhe katër trajnerë të ekipeve të moshave, të cilët do të vizitojnë Tiranën dhe kjo ekspozitë do të zhvillohet në datën 17. E veçanta e trofeve, gjithmonë për arsye sigurie, secila do të ketë nga një shoqërues me vete. “Dyrrah City Football Academy”, është akademia e krijuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe “City Group” që do të ndërtojë qendrën më të madhe dhe më moderne me ambiente trajnimi në vend e më gjerë dhe më pas do të krijojë shkollën e futbollit në Durrës.

FONDI 900 MILIONË LEKË Qeveria shqiptare ka miratuar në Fletoren Zyrtare shumën prej 900 milionë lekësh të vjetra për akademinë e futbollit “Durrah City”. Pas ekspozitës së datës 17, ku do të vijnë 5 trofetë e fituara nga klubi anglez, në shtator pritet të fillojë puna në akademinë në qytetin e Durrësit. Edhe më parë qeveria shqiptare akordoi një fond prej 200 milion lekësh për këtë akademi, duke mbuluar shpenzimet e 2023. Në këtë vendim thuhet se fondacioni “Durrah City Football Academy”, brenda muajit mars të vitit 2025, dërgon në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit raportin e shpenzimeve të realizuara për vitin 2024, të miratuar nga bordi drejtues i fondacionit./ PANORAMASPORT