Presidenti i Republikës, Ilir Meta, vijon të nderojë ikonat e sportit shqiptar. Nga Tirana në Vlorë, pastaj në Korçë, e sërish sot në Tiranë. Sot Meta ka vizituar një legjendë të futbollit shqiptar dhe emblemë të futbollit tiranas, Fatmir Frashërin.
Kampion i Shqipërisë si futbollist me Partizanin e Tiranën, por edhe kampion si trajner me Tiranën e Dinamon, 77-vjeçari ka shkruar emrin e vet në historinë e sportit shqiptar dhe presidenti e ka vizituar sot, për t’i uruar festat e fundvitit.
“I privilegjuar t’i uroja Vitin e Ri, Mjeshtrit të Madh të futbollit kryeqytetas dhe atij kombëtar, Fatmir Frashërit! Jetë të gjatë e shëndet kampionit të trefishtë tiranas si lojtar, trajner dhe president dinjitoz i klubit Tirana! Uruam që Viti i Ri të sjellë rezultate më të mira për sportin tonë”, – shkruan Meta.
Në vitin e Skënderbeut, Meta ka dekoruar shumë prej figurave të sportit të shqiptar, madje edhe ekipe historike, siç ishte rasti i Tiranës që u ndesh më Ajax, i Flamurtarit që u ndesh me Barcelonën, apo Partizanit të basketbollit para 50 viteve.