MENU
klinika

Analiza e REL: Bojkotim dhe pasoja katastrofike

A po rrezikohet regjistrimi i komunitetit boshnjak në Kosovë?

26.04.2024 - 12:27

Komuniteti boshnjak në Kosovë shfaq drojën se numri i tij mund të zvogëlohet, për shkak të parregullsive të evidentuara gjatë procesit të regjistrimit të popullsisë, i cili nisi më 5 prill dhe do të vazhdojë deri më 17 maj.

Këto parregullsi i referohen pyetjes në pyetësorin në gjuhën serbe: “Cilit grup etnik i përkisni”, e në të cilin një prej përgjigjeve është “bosanac” në vend të “boshnjak”.

Boshnjakët janë një prej komuniteteve pakicë të njohura me Kushtetutë në Kosovë, ndërsa termi “bosanac” i referohet dikujt që jeton në territorin e Bosnje dhe Hercegovinës.

Pyetësorët janë në dispozicion në dy gjuhë zyrtare: shqip dhe serbisht.

Fahret Sijariç, pjesëtar i komunitetit boshnjak nga Peja, tregon për Radion Evropa e Lirë se regjistruesit shkuan tek ai tri ditë më parë, për ta kryer regjistrimin, dhe se ata kishin pyetësor në gjuhën shqipe.

Duke qenë se nuk i kuptonte disa pyetje, ai kërkoi pyetësor në gjuhën serbe.

“Por, në formularin në gjuhën serbe figuronte ‘bosanac’ si opsion i përkatësisë etnike dhe nuk desha të vazhdoj”, thotë Sijariç.

Ai tregon se disa anëtarë të familjes dhe fqinj të tij refuzuan të regjistrohen, pikërisht për shkak të këtij gabimi në pyetësorët në gjuhën serbe.

“Ky regjistrim duket si një turne futbolli. Hajde, luajmë, nënshkruajmë dhe tung”, shprehet Sijariç.

Gazetari Mustafa Bale, i cili vjen nga komuniteti boshnjak dhe përcjell regjistrimin e popullsisë në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se disa boshnjakë, “nga revolta”, u kanë thënë regjistruesve që ta shënojnë opsionin “të tjerë”.

Në këto raste, sipas tij, boshnjakët regjistrohen si komunitete të tjera pakicë në Kosovë, të cilat nuk janë të njohura me Kushtetutë.

Komunitetet pakicë, të njohura me Kushtetutën e Kosovës, janë: serbët, boshnjakët, romët, ashkalinjtë, egjiptianët, goranët dhe turqit. Ato kanë të drejta të caktuara, si vendet e garantuara në Kuvendin e Kosovës apo të drejtën për arsim, përdorim të gjuhës, kultivim të kulturës, fesë dhe traditës.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emillija Rexhepi, në një deklaratë për REL-in ka thënë se ka reaguar urgjentisht ndaj këtyre parregullsive, dhe se gabimi është korrigjuar në Prizren dhe në pjesën e Dragashit, ku jeton komuniteti boshnjak.

Sipas saj, termi “bosanac” në këto komuna është zëvendësuar me termin “boshnjak” vetëm në pyetësorët elektronikë, të cilët regjistruesit i përdorin në tabletët e tyre në gjuhën serbe.

“Kam bërë një vërejtje për Pejën dhe Istogun, është korrigjuar në disa vende, por jo gjithkund ku boshnjakët janë shumicë”, tha Rexhepi.

REL-i siguroi fotografi të kësaj parregullsie në tabletët e regjistruesve, të cilat më pas, më 17 prill, u korrigjuan në disa zona ku jetojnë boshnjakët.

Megjithatë, Mustafa Bale thotë se gabimi në tabletët që përdorin regjistruesit, është korrigjuar vetëm në Prizren, ndërsa në komuna të tjera ku jetojnë pjesëtarë të komunitetit boshnjak – si Dragashi dhe Peja – regjistruesit e kanë ende opsionin “bosanac” si opsion për përkatësinë etnike.

Më 24 prill, organizata joqeveritare Këshilli i Kongresit të Intelektualëve Boshnjakë të Kosovës e njoftoi Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK) se gabimi nuk është korrigjuar as në Dragash dhe as në Pejë.

“Disa qytetarë po i kthejnë regjistruesit, për shkak se nuk e kanë të shënuar përkatësinë kombëtare”, thuhet në letrën e kësaj organizate drejtuar ASK-së, e cila u nënshkrua nga Mejdin Saliji nga Prizreni.

Organizata kërkoi nga ASK-ja që ta korrigjojë menjëherë gabimin, në mënyrë që “regjistrimi të ketë kuptim dhe të gjithë qytetarët të shprehen ashtu siç e ndjejnë”.

REL-i e pyeti ASK-në për këto parregullsi, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

“Bojkotim dhe pasoja katastrofike”

Mejdin Saliji thotë se anëtarët e organizatës joqeveritare Këshilli i Kongresit të Intelektualëve Boshnjakë të Kosovës janë vazhdimisht në terren dhe se monitorojnë regjistrimin e popullsisë.

Sipas tij, ata kanë informacione se gabimi në lidhje me përkatësinë etnike të boshnjakëve nuk është korrigjuar kudo.

Ai shton se, me këtë rast, janë mbajtur debate publike në Prizren dhe në Pejë dhe se kanë marrë informacione se disa regjistrues nga komuniteti boshnjak kanë refuzuar ta bëjnë regjistrimin, derisa të korrigjohet gabimi në pyetësor.

“Është ndoshta problem rreth gjuhës [v.j. përkthimi], por kjo do të thotë shumë për ne boshnjakët, sepse mund të ndodhë që kur të përditësohen të dhënat, të figurojnë dy komunitete: bosancat dhe boshnjakët”, thotë Saliji.

Ai thotë, po ashtu, se ka një numër boshnjakësh që refuzojnë të regjistrohen dhe se kjo ka “pasoja katastrofike” për komunitetin.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në vitin 2011, në Kosovë jetojnë rreth 27.000 boshnjakë.

Por, gazetari Mustafa Bale thotë se regjistrimi në veri të Kosovës nuk është bërë atëherë dhe se, sipas disa vlerësimeve, janë rreth 30.000 pjesëtarë të komunitetit boshnjak.

Ai beson se regjistrimi në zonat ku jetojnë boshnjakët duhet të përsëritet ose të zgjatet, sepse, siç thotë, procesi është vonuar, për shkak të gabimeve në pyetësor.

Në të kundërtën, thotë Bale, të drejtat kolektive të këtij komuniteti janë në rrezik.

“Kjo do të ndikojë në të drejtat e garantuara, në të drejtën për të përdorur gjuhën, në të drejtën për të mbajtur mësim në gjuhën boshnjake”, thotë ai.

Bale dhe Saliji thonë, gjithashtu, se një numër i madh i pjesëtarëve të komunitetit boshnjak jetojnë në diasporë dhe se as atyre nuk u është mundësuar të deklarohen për përkatësinë e tyre etnike.

Agjencia e Statistikave të Kosovës e ka bërë të mundur regjistrimin e familjarëve që jetojnë jashtë Kosovës, por aty nuk ka mundësi që dikush të deklarohet se cilit grup etnik i përket.

Çka thonë përfaqësuesit politikë të boshnjakëve?

Zëvendëskryeministrja Emillija Rexhepi, nga radhët e Partisë së Re Demokratike (NDS), pjesë e Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, thotë se komunitetit boshnjak i është bërë thirrje që të mos i përgjigjet regjistrimit, derisa të korrigjohen gabimet, ndërsa bën të ditur se ka informacione se një numër i madh i pjesëtarëve të këtij komuniteti është regjistruar në dy-tre ditët e fundit.

Sipas vlerësimit të saj, vonesat në regjistrimin e komunitetit boshnjak nuk do të ndikojnë në rezultatin përfundimtar, sepse, siç thotë ajo, procesi zgjat deri më 17 maj dhe ka kohë që të gjithë të regjistrohen.

“Ne jemi një komunitet i vogël, regjistrimin mund ta përfundojmë për një javë… Personalisht jam e kënaqur me reagimin e njerëzve tanë, jemi aktivizuar të gjithë, të gjitha subjektet politike, sektori joqeveritar, mediat”, thotë Rexhepi.

Qerim Bajrami nga koalicioni Vakat – një subjekt politik boshnjak që është i përfaqësuar në disa institucione lokale, por edhe qendrore të Kosovës – ka thënë se çështja e terminologjisë ka shkaktuar revoltë në mesin e komunitetit boshnjak, dhe se shumë prej pjesëtarëve të tij tani po refuzojnë të regjistrohen.

“E rëndësishme është që këtu [në Prizren] ka reaguar edhe kryetari i komunës, që është gjë e mirë. Ai ka kërkuar nga komisioni i regjistrimit që t’i korrigjojë gabimet, por ato korrigjime kanë zgjatur një javë. Regjistrimi nuk ka filluar derisa janë bërë korrigjimet, por ato janë bërë vetëm në komunën e Prizrenit. Në Dragash, gabimi në lidhje me termin boshnjak-bosanac është korrigjuar vetëm pjesërisht. E njëjta gjë është edhe në komunën e Pejës dhe në komunat e tjera në Kosovë”, thotë Bajrami.

Ai shton se kanë biseduar me drejtorin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, dhe se janë siguruar se të gjithë ata që janë regjistruar si “bosanac” do të regjistrohen përfundimisht si “boshnjakë”.

Megjithatë, Bajrami thekson se kjo çështje ka shkaktuar revoltë në mesin e pjesëtarëve të komunitetit boshnjak dhe se shumë prej tyre tani refuzojnë të regjistrohen.

Gabime të tjera gjuhësore

Në pyetësorët në gjuhën serbe, përveç atyre faktike, ka edhe gabime të shumta gjuhësore që i bëjnë pyetjet të pakuptueshme.

Për shembull, në një prej pyetjeve për gjendjen martesore thuhet “burrë/grua me kurorë” dhe “burrë/grua pa kurorë”.

Zëvendëskryeministrja Rexhepi beson se një sërë institucionesh kanë dështuar në përgatitjen e pyetësorit të regjistrimit në gjuhën serbe, duke përfshirë edhe organin kryesor përgjegjës për organizimin e të gjithë procesit, Agjencinë e Statistikave të Kosovës.

Në Kosovë, gjuha shqipe dhe ajo serbe janë zyrtare, që do të thotë se institucionet janë të obliguara ta sigurojnë përdorimin e barabartë të këtyre gjuhëve.

Gjuhët e komuniteteve të tjera pakicë përdoren, gjithashtu, në nivel lokal në komunat e caktuara, ku ato jetojnë.

Megjithatë, Zyra e Komisionarit për Gjuhët, e cila funksionon nën Kabinetin e Kryeministrit të Kosovës, tregon shpesh se të drejtat e komuniteteve pakicë shkelen kur bëhet fjalë për përdorimin e gjuhëve./REL

Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin

E paqartë nëse Lista Serbe po përgatitet për procesin

Serbët me disa alternativa në zgjedhjet e 9 shkurtit!

Fytyra të reja por detyrime të njëjta

Analiza: “Ngec” sërish dialogu Beograd-Prishtinë