Kosova ka bërë goditjet e radhës sa i takon përforcimit të ekipit përfaqësues të futbollit. Prurjet te Kosova vazhdojnë në prag të eliminatoreve të Europianit 2020.
Dy elementë cilësorë pritet t’i bashkohen skuadrës së Bernard Challandes. Bëhet fjalë për mbrojtësin e Huddersfield në Premier League, Florent Hadërgjonaj, dhe mesfushorin e Sion (Zvicër), Bastin Toma.
Trajneri i dardanëve ka konfirmuar se të 2 futbollistët kanë pranuar të veshin fanellën e përfaqësueses së Kosovës, duke shtuar përforcimet. Si Toma, ashtu dhe Hadërgjonaj, janë aktivizuar më parë me kombëtaren e moshave të Zvicrës, teksa presin OK-in nga FIFA, për t’iu bashkuar Kosovës.
Kosova zuri vendin e parë në grupin e vet në Ligën D të Nations League, duke qenë surpriza më e bukur dhe tashmë kërkon të tjera arritje, pse jo, kualifikimin në Euro 2020.