MENU
klinika

Arabët i turbullojnë mendjen

Vinicius refuzon rinovimin me Realin

26.08.2024 - 16:25

Prej disa javësh po flitet për një ofertë përtej çdo limiti nga Arabia Saudite për të marrë shërbimet e sulmuesit të Realit të Madridit, Vinicius Zhunior.

Madje, në marrëveshjen e propozuar nga sauditët nuk ka sekrete. Për transferimin e Viniciusit në Azi janë dhënë shifra të sakta për operacionin hipotetik me Al-Ahli, i refuzuar fillimisht nga “Los Blancos” për këtë verë.

Megjithatë, tani informacionet e fundit flasin për lajme në lidhje me të ardhmen e anësorit brazilian. Të dielën, rrjeti mediatik “ESPN” ka bërë me dije se rrethi i futbollistit do ta kishte informuar Realin e Madridit se lojtari do të mendojë për një ndryshim gjatë këtij sezoni për verën e ardhshme, kur do t’i mbeten edhe dy vite deri në përfundimin e kontratës me klubin e bardhë (2027).

Klauzola e largimit të tij nga Reali i Madridit siç dihet është 1 miliard euro. Mundësia për të fituar “Topin e Artë” të këtij viti mendohet se ka qenë faktori kryesor që peshonte më shumë në vendimin e tij për të vazhduar në “Santiago Bernabéu” edhe në sezonin 2024-2025.

Arabët shpresojnë se Reali i Madridit do të tregohet më i hapur për të negociuar një tarifë për më pak se një miliard euro në vitin 2025, kur Viniciusit do t’i kenë mbetur vetëm dy vjet deri në mbylljen e kontratës së tij me klubin e bardhë. Por, përfaqësuesit ligjorë të brazilianit kanë shkuar edhe më tej.

Gjithnjë sipas “ESPN”, ata kanë informuar Realin e Madridit se nuk janë të interesuar të rinovojnë kontratën e tij përtej vitit 2027, pasi lojtari dëshiron kohë për të shqyrtuar të ardhmen e tij këtë sezon. Marrëveshja e propozuar me Arabinë Saudite do ta bënte Viniciusin sportistin më të paguar në botën e sportit.