Lazio e ka nisur më së miri vitin 2019, teksa në sfidën e parë ka mposhtur 4-1 në “Olimpico” ekipin e Novara-s, sfidë e vlefshme për Kupën e Italisë.
Të katër golat janë shënuar në pjesën e parë. Së pari, ka shënuar Luis Alberto në minutën e 12-të. Në minutën e 20-të, Immobile gjuan nga pika e bardhë, por nuk shënon, topi kthehet dhe dyfishon shifrat.
Në minutën e 35-të është sërish Immobile që realizon për Lazion, duke thelluar shifrat në 3-0 dhe duke e bërë takimin praktikisht të mbyllur.
Në sekondat e fundit shtesë të pjesës së parë, Milinkovic-Savic katërfishon, duke e mbyllur ndeshjen që në pjesën e parë. Në fillimin e pjesës së dytë Novara shënon golin e nderit me penallti.
Lazio avancon në çerekfinale të Kupës së Italisë, kur pret fituesin e çiftit Inter-Benevento. Në portë për Lazion titullar ishte Thomas Strakosha, ndërsa në pjesën e dytë luajtën edhe dy shqiptarët e tjerë: Valon Berisha dhe Riza Durmishi.