Armando Sadiku është rikthyer te Lugano, ku për të tretën herë do të luajë për ekipin zviceran. Dhe “Konica.al” po risjell një intervistë të sulmuesit të Kombëtares shqiptare.
Kjo intervistë është dhënë para 1 viti e gjysëm për “Eurosport.com”, kur Sadiku luante me Legia Warsaw.
Është e vërtetë që babai juaj ju vuri emrin Armando për nder të Diego Armando Maradonës?
Po. Është shumë e vërtetë. Babai im e shihte atë te Napoli dhe e ka admiruar gjithmonë si lojtar. E pa edhe në Kupën e Botës në vitin 1990 dhe, kur linda unë, më vuri emrin Armando, sepse i pëlqente shumë Maradona.
Kjo do të thotë se ai është gjithashtu idhulli juaj, apo ka qenë dikush tjetër modeli për t’u ndjekur?
Ai luante shumë ndryshe nga unë dhe nuk kemi stil të njëjtë loje. Ai ishte shumë i shpejtë, i shkathët në gjithçka që bënte. E vetmja gjë që kam të përbashkët me Maradonën është vetëm emri.
Nuk e kam parë kurrë duke luajtur në fushë direkt, por e kam parë në video. Sigurisht që me atë mund të dashurohesh, por lojtari im i preferuar është Zlatan Ibrahimoviç.
Jeni përpjekur ta imitoni atë në fushën e lojës?
Do të doja shumë që të bëja ato që ai bën në fushë. Ka mentalitet fituesi dhe, kudo që ka shkuar, ka triumfuar e ka ngritur trofe. Është i uritur për sukses dhe ka gjithmonë besim në vetvete. Më pëlqen stili i lojës dhe personaliteti që ka në fushë.
Gjatë Europianit, ju ishit më mirë se sa ai. Ai nuk shënoi, ndërsa ju i dhatë fitoren Shqipërisë me golin kundër Rumanisë. Mendoni se keni luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e futbollit shqiptar?
I kujtoj shumë mirë të gjitha ndeshjet në Europian. Për të thënë të vërtetën, në dy ndeshjet e para nuk pata shumë shanse dhe kisha shumë frikë që në të tretën trajneri do të më linte në stol.
Por ai besonte tek unë dhe kështu erdhi goli i parë i Shqipërisë në Europian. Ishte ëndrra dhe qëllimi i karrierës sime. Që kur isha fëmijë i shihja me vëmendje ndeshjet e Kombëtares shqiptare dhe ia premtova tim eti që një ditë do të isha aty për të luajtur një ndeshje të rëndësishme.
Ai vetëm buzëqeshi në atë kohë. Pas Europianit, të gjithë filluan të më donin. Më njihnin edhe më përpara, por pas atij kompeticioni ndjeva dashuri maksimale nga shqiptarët. Më adhuronin.
Kualifikimi i Shqipërisë në Europian ishte një surprizë? Mendoni kështu edhe ju?
Jo. Nuk ishte surprizë. Trajneri, në atë kohë, krijoi një skuadër shumë të fortë. Ndeshjet që luajtëm në Europian treguan se nuk ishim ekip i dobët. Ne fituam një ndeshje të rëndësishme dhe, nëse do të kishim pak fat, sigurisht që mund të ishim kualifikuar për në raundin tjetër.
Portugalia u kualifikua me të njëjtën kuotë pikësh, por pastaj ngriti kupën. Për më tepër, ne ishim të fundit që e kishim mundur këtë ekip.
Në karrierën tuaj ka pasur edhe momente të vështira. Në Shqipëri sulmuat një arbitër dhe u përjashtuat nga kampionati.
Isha i ri nervoz. E përsëris që kam bërë një gabim të rëndë, por tani e kam kuptuar. Në atë kohë u rebelova shumë për shkak se arbitri gaboi.
Ju u pezulluat për 2 vite. Kishit frikë se mos i jepnit fund karrierës ende pa e nisur mirë?
Po. Ishte një situatë shumë e vështirë për mua dhe për familjen time. Për një muaj apo për dy, mendova që ta lija futbollin. Në fund, presidenti i Federatës më dha mundësinë që të transferohesha jashtë vendit dhe pastaj nisa të luaja për kombëtaren U-19 dhe U- 21. Kjo është e kaluara dhe nuk më pëlqen shumë të flas për të.
Ecurinë më të mirë e keni pasur 9 gola në 16 ndeshje…?
Nuk kam luajtur kurrë 30 ndeshje në një sezon të vetëm. Kam pasur shumë probleme dhe operacione. Gjërat janë ndryshe kur gjendesh mirë dhe ke përpara objektiva të rëndësishëm.
Sa gola doni të shënoni në këtë sezon?
Të paktën 20.
Ju keni një problem që nuk zotëroni pasaportën e një vendi që është pjesë e Bashkimit Europian. Keni kërkuar atë bullgare, por deri në cilën pikë keni arritur?
I kam bërë të gjitha dokumentet në rregull dhe ia kam dërguar Ambasadës Bullgare. Shumë shpejt besoj se do të kem një përgjigje. Provova të merrja këtë pasaportë, sepse gjyshja ime, e cila vinte nga Maqedonia, kishte rrënjë bullgare.