Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë këtë javë në forumin për vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, një organizim i përvitshëm i “Euromoney”.
Në fjalën e tij, Guvernatori Sejko theksoi se qëndrimi i politikës monetare të Bankës Qendrore Europiane ka një ndikim të fortë dhe të drejtpërdrejtë në ekonomitë dhe sistemet financiare të rajonit.
Sipas tij, shtrëngimi i kushteve monetare në Eurozonë pritet të ndodhë afërsisht në paralel me reduktimin e stimulit monetar në Shqipëri. Për këto arsye, Guvernatori vlerësoi se Shqipëria nuk do të ketë efekte të forta negative nga përfundimi i programit të lehtësimit monetar të ndjekur nga Banka Qendrore Evropiane.
Sejko tha se flukset hyrëse të investimeve të huaja në Shqipëri kanë qenë të natyrës së drejtpërdrejtë, në prodhimin e energjisë dhe të burimeve natyrore, prandaj kjo nuk do të sillte një largim të kapitalit apo stres të borxhit.
Ai shtoi se ekspozimi i sektorit privat shqiptar në tregjet e borxhit është minimal, kjo pasi biznesi shqiptar financohet në masë të madhe përmes fondeve private ose nëpërmjet sektorit bankar vendas.
Gjatë diskutimeve të Panelit, Guvernatori theksoi gjithashtu rëndësinë e vazhdimit të përpjekjeve për një integrim sa më të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, në funksion të përshpejtimit të ritmit të rritjes ekonomike, të rritjes së mirëqenies shoqërore, si dhe të ankorimit sa më të mirë të perspektivave afatgjata të zhvillimit të vendit.