MENU
klinika

Protesta

Përçahen studentët, vijimi i bojkotit në pikëpyetje

17.01.2019 - 09:55

Prej 7 netësh studentët e fakulteteve të ndryshme të Tiranës kanë bojkotuar mësimin dhe janë ngujuar në shenjë proteste.

Deri sot ata dukeshin të vendosur në kërkesat dhe vendimet e tyre, por sot vijueshmëria e protestës është vënë në pikëpyetje.

Kjo pasi të rinjtë në disa Fakulete të Tiranës kanë kryer midis tyre disa sondazhe, ku pyetja kryesore ishte nëse do të vijojë apo jo protesta.

Rezultatet e sondazhit kanë përfunduar vetëm në fakultetin e Ekonomisë, ku 68% e atyre që studiojnë në këtë fakultet kanë votuar pro vijimit të protestës, ndërsa pjesa tjetër janë për mësim.

Ndërkohë pritet që gjatë ditës së sotme edhe fakultetet e tjera të dalin në një vendim përfundimtar për bojkotin e auditoreve.

Sot voton Politekniku. Me një procedurë transparente, me një listë emrash të marra nga sekretaritë nga ora 8:00 deri në 18:00, të rinjtë do të shprehin vullnetin e tyre, rezultati i të cilit do i paraqitet rektorit dhe cilido qoftë ai, është premtuar të marrë mbështetje.

Studentët e Arkitekturës kanë kërkuar ndihmën e pedagogëve e drejtuesve për të vendosur problematikat e ditëve të fundit dhe vijueshmërinë e protestës.

Te Fakulteti i Shkencave Sociale bojkotohet në një formë të moderuar, duke parë filma të caktuar që iu japin zemër studentëve për t’i shkuar deri në fund kauzës së tyre.