MENU
klinika

Autoriteti i Konkurrencës jep miratimin

Samir Mane mund ta blejë Tirana Bank…por, me kushte

19.01.2019 - 13:46

Autoriteti i Konkurrencës ka dhënë miratimin për blerjen e Tirana Bank nga Samir Mane, por me shumë rezerva. Në vendimin e kësaj jave, Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur një sërë kushtesh për lejimin e këtij tranaksioni.

Pas blerjes nga grupi Balfin, Tirana Bank nuk duhet të mos zbatojë kushte të pabarabarta për veprime tregtare të njëjta me palët, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurrence. Gjithashtu, banka nuk duhet të ushtrojë veprimtari bankare ose financiare me dhe në përfitim të personave të lidhur me të. Transaksioni duhet të sigurojë eficencë ekonomike dhe të japë siguri mbi qëndrueshmërinë e marrëdhënieve të punës së stafit ekzistues të Tirana Bank.

Shqetësimi kryesor i Autoritetit të konkurrencës është që Tirana Bank mund të përdoret në shërbim të bizneseve të shumta që zotëron Samir Mane përmes grupit Balfin. Nga njëra anë, ky mund të jetë faktor rreziku për bankën dhe, nga ana tjetër, mudn të penalizojë bizneset e tjera që kanë nevojë për kredi bankare.

Autoriteti i Konkurrencës i rekomandon Bankës së Shqipërisë që për çështje të stabilitetit financiar, të gjitha shoqëritë tregtare të kontrolluara nga Balfin, që zotërojnë pozitë dominuese ose që do të marrin në të ardhmen këtë pozitë, duhet të monitorohen dhe të trajtohen si aktivitete të lidhura me sistemin bankar, pavarësisht objektit të veprimtarisë së tyre.

Gjithashtu, Autoriteti ka vendosur monitorimin e sjelljes së Tirana Bank, për një periudhë njëvjeçare nga data e marrjes së këtij vendimi.

Konsorciumi i përbërë nga grupi Balfin dhe Komercijalna Banka nënshkroi marrëveshjen për blerjen e Tirana Bank në gusht të vitit të kaluar, për 57.3 milionë euro.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN