MENU
klinika

Programet sociale

VKM-ja, Qeveria ndryshon vendimin për banorët e Unazës së Re

30.01.2019 - 17:39

Qeveria ka miratuar VKM-në që merr përsipër të trajtojë familjet e Astirit, që preken nga projekti i “Unazës së Madhe”  në Tiranë. Sipas  VKM-së,  banorët e Unazë së Re në vend të periudhës dy vjeçare të qerasë së paguar, do të përfitojnë nga programi social i strehimit pagesën e plotë të qirasë, nga momenti i mbarimit të afatit të përcaktuar.

“Në pikën 1, fjalët “… përfitojnë pagesën e qirasë për një periudhë dyvjeçare, nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.” zëvendësohen me “…përfitojnë nga programi social i strehimit pagesën e plotë të qirasë, nga momenti i mbarimit të afatit të përcaktuar deri në sistemimin me strehim në një nga programet që parashikon ligji për strehimin”, shkruhet në vendim.

VKM-ja
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.230, DATË 13.3.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR TRAJTIMIN ME PAGESË TË QIRASË TË DISA FAMILJEVE QË PREKEN NGA ZBATIMI I PROJEKTIT “UNAZA E MADHE E TIRANËS, SEGMENTI KOMUNA E PARISIT-RRUGA E KAVAJËS”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 30 e 33, të ligjit nr.9232, datë 13.5.2004, “Për programet sociale të strehimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave.

unaza e re-konica.al

V E N D O S I:

Në vendimin nr.230, datë 13.3.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:

1. Pas lidhjes 2/2 shtohet lidhja 2/3 me listën emërore të subjekteve që do të trajtohen me qira, e cila i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Lista emërore sipas lidhjes 2/3 dhe lista emërore e familjeve që nuk janë paraqitur për tërheqjen e qirasë të verifikohen nga Enti Kombëtar i Banesave dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar, në bashkëpunim me njësinë administrative që mbulon zonën.

2. Në pikën 1, fjalët “… përfitojnë pagesën e qirasë për një periudhë dyvjeçare, nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.” zëvendësohen me “…përfitojnë nga programi social i strehimit pagesën e plotë të qirasë, nga momenti i mbarimit të afatit të përcaktuar deri në sistemimin me strehim në një nga programet që parashikon ligji për strehimin.”.

3. Pika 1/1 shfuqizohet.

4. Pas pikës 1 shtohen pikat 1/2 e 1/3, me këtë përmbajtje:
“1/2. Financimi i qirasë për familjet përfituese të mbulohet 50% nga buxheti i shtetit, që akordohet për strehimin, 50% nga buxheti i Bashkisë Tiranë dhe zbatimi të bëhet nga Enti Kombëtar i Banesave. Për vitin 2018, familjet që kanë përfituar bonusin e qirasë nga Bashkia Tiranë përfitojnë vetëm diferencën ndërmjet qirasë së vlerësuar nga EKB-ja me shumën e bonusit që kanë përfituar nga Bashkia Tiranë.

1/3. Financimi i qirasë të bëhet pas verifikimit nga Bashkia Tiranë të gjendjes ekonomike dhe sociale të familjes, sipas parashikimeve të ligjit për strehimin.”.

5. Pikat 2 dhe 3 shfuqizohen.

6. Kudo në përmbajtjen e vendimit, emërtimi “Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit” zëvendësohet me fjalët “… ministria përgjegjëse për strehimin …”.

7. Ngarkohen ministria përgjegjëse për strehimin, ministria përgjegjëse për infrastrukturën dhe energjinë, Enti Kombëtar i Banesave, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.