Barcelona edhe njëherë tjetër ka treguar se është skuadër e madhe. Pasi përmbysi një gol një tur më parë, sonte katalanasit kanë përmbysur dy golat e humbjes së parë, duke fituar 6-1 në “Camp Nou” ndaj Sevilla-s.
Blaugranat e nisën mirë ndeshjen. Në minutën e 13-të, Messi pengohet në zonë dhe ka penallti. Për habi, Messi ia lë Coutinhos ta gjuajë, që tregohet i saktë.
Vendasit janë shokuar në minutën e 27-të, kur edhe Sevilla përfiton penallti. Por Banega nuk tregohet i saktë, duke e humbur. Një gol i mundshëm mund të kishte ndryshuar ndeshjen.
Për të ardhur në minutën e 31-të, kur Rakitic shënon golin e dytë, që jep shumë shpresë për kualifikimin. Pjesa e parë mbyllet 2-0 dhe tashmë misioni është shumë afër.
Në minutën e 53-të Coutinho shënon sërish, kësaj here nga aksioni dhe Barcelona-Sevilla 3-0. Vetëm një aksion më pas, Messi shërben bukur për Sergi Roberton dhe katalanasit shkojnë në 4-0.
Megjithatë, Arana për miqtë ngushton diferencën në minutën e 67-të, duke hapur kualifikimin, pasi një gol tjetër i Sevilla-s do të thoshte kualifikim për miqtë.
Por në limitet e takimit mendon Suarez, që shënon golin e pestë. Nuk mund të qëndronte pa vënë vulën e tij edhe Messi, i cili në shtesë shënon golin e gjashtë.
Barcelona kalon në gjysmëfinale, duke pritur shortin. Është kualifikuar edhe Betis e Valencia, ndërsa Real Madrid ka fituar ndeshjen e parë 4-2 me Girona-n.