Një tragjedi e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në Brazil, kur një zjarr i fuqishëm ka përfshirë një qendër stërvitore të klubit brazilian të Flamengos, në zonën e quajtur Vargem Grande, në perëndim të Rio de Janeiro.
Flakët kanë lënë 10 persona të vdekur në vend, 3 të plagosur, njëri prej të cilëve është në gjendje të rëndë. Viktimat nuk janë identifikuar ende, por sipas zjarrfikësve ka patur fëmijë të moshës 14-17 vjeç.
Kjo qendër stërvitore më parë është përdorur nga ekipi i parë i klubit të Flamengos, por së fundi në të ishin vendosur ekipet zinxhirë të moshave të ndryshme të akademisë më të madhe të futbollit në Amerikën Latine.
Ende nuk dihen shkaqet e zjarrit që përfshinë qendrën stërvitore, por tragjedia ka pikëlluar gjithë Brazilin dhe futbollin mbarëbotëror.