Edhe pse nuk kanë dalë të gjitha përgjigjet e analalizave mjekësore, Eros Grezda mund të konsiderohet tashmë një lojtar i Rangers në Skoci, megjithëse ende nuk është zyrtarizuar nga vetë klubi skocez.
Ka qenë trajneri i skocezëve, legjenda e Liverpool, Steven Gerard, ai i cili ka folur për mediat në lidhje me Grezdën. Gerard ka përfituar për të thurur elozhe për mesfushorin shqiptar, të cilin e konsideron një futbollist të shkëlqyer dhe të shpejtë.
“Grezda ka kryer vizitat mjekësore me ne, por më shumë se kaq nuk mund të them. Di që është një lojtar i shkëlqyer dhe te Osijek ai ishte më i miri i skuadrës. Grezda është një lojtar shumë i mirë dhe i rrezikshëm.
Megjithëse nuk duhet thënë për askënd që më vjen mirë që është dëmtuar, unë falënderoj Zotin që Grezda ishte i dëmtuar dhe nuk luajti kundër nesh në Europë”, – u shpreh për mediat Gerard.