Rreth 42.5% e totalit të ndërmarrjeve kanë një hua për të paguar. Vrojtimi i gjendjes financiare dhe huamarrjes së ndërmarrjeve, i kryer nga Banka e Shqipërisë, tregoi se kërkesa e bizneseve për hua ngelet në stanjacion.
Gjatë pjesës së parë të vitit, konkurrenca dhe gjetja e tregut konsiderohen si sfidat kryesore për aktivitetin e ndërmarrjeve, ndërkohë që problematikat lidhur me aksesin në financim dhe kostot e financimit kanë shënuar një rritje të lehtë. Procesi i huamarrjes nga bankat vlerësohet midis nivelit “normal” dhe “i vështirë”.
Rreth 88.2% e totalit të ndërmarrjeve huamarrëse deklarojnë se u janë drejtuar bankave për të siguruar hua. Kjo peshë arrin në 90.5% për totalin e burimeve formale (banka dhe institucione financiare jobanka). Vrojtimi i gjendjes financiare dhe huamarrjes së ndërmarrjeve kryhet prej tetë vitesh, me një frekuencë gjashtëmujore.
Edhe statistikat tregojnë se kredia e re për biznesin është në rënie edhe gjatë këtij viti. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në gjashtë muaj sipërmarrjet shqiptare përfituan rreth 89 miliardë lekë kredi nga sistemi bankar. Kjo shumë është në rënie me 9.4% krahasuar të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rënia i detyrohet sidomos tkurrjes së ndjeshme të kredisë së re në sektorë si energjetika dhe ndërtimi, por ndërkohë edhe pjesa më e madhe e degëve të tjera të shërbimeve në ekonomi përfitoi vlera më të ulëta të financimit nga sistemi bankar.