Një nga futbollistët më të mirë holandez në dekadën e fundit, Wesley Sneijder, ka shpëtuar mrekullisht pas një aksidenti të rëndë rrugor. Ish-lojtari i Ajax, Real Madrid dhe Inter aktualisht luan me klubin e Katarit, Al-Gharafa.
Gjatë një udhëtimi në vendin aziatik, Sneijder ishte në shkretëtirë kur përfundoi jashtë rruge dhe, sipas specialistëve, vetëm fati e shpëtoi nga vdekja, edhe pse tronditja e pësuar ishte e madhe.
34-vjeçari shënoi në ndeshjen e fundit, pavarësisht se ekipi i tij u mposht 3-2 në shtëpi, por pas ndeshjes pësoi aksidentin dhe shkoi në spital. Sneijder u duk në rregull, por me një qafore gjatë kohës që u fotografua duke takuar krerët e klubit.
Ai u tërhoq nga kombëtarja e Holandës, në marsin e kaluar, pas 31 golave në 134 ndeshje. Në vitin 2010 ai u shpall nënkampion bote me Holandën, ndërsa më parë kishte fituar tripletën me Inter.