Seanca e parë plenare për këtë sesion parlamentar ka filluar, por pa opozitën e cila ka udhëtuar drejt Shkodrës, ku do zhvillojë një mbledhje të jashtëzakonshme si mesazh kundër krimit.
Në nisje të seancës, kryeparlamentari Gramoz Ruçi u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve politikë që të ndajnë “betejën” e brendshme politike, nga “beteja” e përbashkët e vendit në rrugën drejt integrimit europiane.
“Ftoj të gjitha grupet politike që të ndajnë luftën për betejën e pushtetit të radhës, nga beteja jonë e përbashkët për integrimin në Europë. Ky proces do të jetë objektiv i Kuvendit, dhe mbetet i pandryshuar. Të gjithë së bashku duhet të mësojmë nga përvoja e parlamentit kroat, i cili ka mundësuar të gjithë kuadrin e përafrimit me ligjet e BE me konsensusin e të gjitha palëve”, u shpreh Gramoz Ruçi.
Në sallë janë deputetë të mazhorancës, dy deputetët e PDIU-së dhe Robert Bitri, deputeti i larguar nga grupi parlamentar i LSI-së.
Ndërkohë, pas Ruçit e ka marrë fjalën kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, i cili tha se gjatë qeverisjes së PD, numri i të vrarëve në Qarkun e Shkodrës ka qenë më i madh, në kundërpërgjigje të bojkotit të opozitës ndaj seancës së sotme dhe mbledhjes së kësaj të fundit në Shkodër.
“Në Konferencën e Kryetarëve kemi rëndë dakord që në hapje të këtij sesioni të merrnin fjalën krerët e grupeve parlamentare për të kontribuar për një film të mbarë të kësaj legjislature. Por nga mediat jemi njoftuar se dy grupet e opozitës janë në Shkodër për të zhvilluar një takim mes tyre për çështje që kanë të bëjnë me rendin publik në Shkodër. Prej vitesh rendi publik ka qenë problematik në atë pjesë të territorit.
Në vitin 2010 kur ministër i Brendshëm ishte kryetari aktual i PD, Lulzim Basha, ato arritën në nivelin më të lartë, 18 vrasje vetëm në Qarkun Shkodër, gjatë vitit 2010. Krahasuar me 8 vrasje gjatë 8 muajve të parë të 2018. Sigurisht ne jemi shumë të shqetësuar për çdo vrasje nga krimi, dhe janë ngjarje që duhen zbardhur. Z.ministër Xhafaj, ne kemi besim tek ju dhe policia se këto ngjarje do zbardhen”, u shpreh Balla.
M.H