Galeria FAB do të hapë dyert e saj për publikun që adhuron pikturën në ekspozitën e piktorit të mirënjohur Gazmend Leka e titulluar “Lutja”. Ekspozita do të hapet në datë 4 tetor dhe dotë qëndrojë e hapur për publikun deri në 31 tetor, çdo ditë nga ora 10:00 deri në orën 20:00.
Krijimtaria e tij në pikturë gjithmonë ka marrë vlerësimin e publikut dhe kritikës, dhe sot ai është një nga personalitet e artit në vendin tonë. Piktori Gazmend Leka, me dekada pranë krijimtarisë artistike gjithmonë ka spikatur për veprat e tij, duke qenë shpeshherë dhe fitues i konkurseve të ndryshme të artit. Veprat e Gazmend Lekës nuk janë të njohura vetëm në Shqipëri, por edhe në Evropë e Amerikë. Në fondin e “Galerisë Kombëtare të Arteve” ruhen 37 vepra të tijat në pikturë dhe grafikë dhe mbi 400 vepra të tjera janë shpërndare në koleksione private në shumë vende të botës.
Ekspozita e fundit që do të shfaqet në Galerinë FAB është një tjetër shprehje e krijimtarisë fantastike të piktorit të bazuar në thellësitë e shpirtit e mendjes së njeriut.
Të gjitha tablotë janë vegime imagjinare, shpirtërore, të një bote metafizike, të atij fraksioni kohe, para ngjizjes. Secila prej tyre është metafora e vdekjes së artistit. Është harxhimi i përditshëm i qenies. Është një dialog i gjatë e i pandërprerë, një shkarkim i madh. Vdes brenda, për t’u ringjallur jashtë.
Kjo ekspozitë, është një reflektim në vetë të parë i aktit shpirtëror të krijimit, në habitatin e vet, si një bunacë shurdhe para një stuhie të egër.
“Ekspozita, është një cikël i ngjizur me 25 piktura, si 25 lutje. Filloi thjeshtë nga një pikturë me të njejtin titull, vitin që shkoi. Në mes të studios së zhurmshme, me ngjyrat, penelat, spatulat e leckat tërë bojë, artisti rri shtrirë në dysheme, duke u lutur përballë një telajoje të bardhë, ende të paprekur, sikurse luteshin dikur murgjit e mëdhej në vetminë e tyre. Kjo pikturë ishte shtysa. U bë matricë për gjithë ciklin. Janë 13 piktura, të një formati deri në 2m x 1,5m dhe 12 piktura të formatit të vogël, si detaje të ngjarjes që ndodh në barkun e ateljesë.” – thotë vetë piktori Leka në një prezantim të shkurtër për veprat që do të shfaqen në ekspozitë.
Vetë piktori Leka shprehet: “Gjithmonë e kam konsideruar pikturën si një lutje të gjatë, që fillon çdo ditë me lindjen e diellit. Ky rit, më ka shoqëruar në udhëtimin tim, për të zbuluar e për të gjetur GJUHËN E VJETËR, gjuhën e humbur, që e dija dikur, përpara RËNIES, kur i flisja gurit, pemës, frutit, gjarpërit. Kjo lutje bëhet nga dita më ditë, më e thellë, më e brëndshme dhe më lejon t’u flas lirshëm gjërave, që tashmë kanë vdekur. Të thënat e tyre, bëjnë krijimet e mija njëra pas tjetres”.
Në rrjedhën e shumë ekspozitave personale: “Black Box”, “Kutia e Zezë e Qenies”, “Ikarus”, “Simbolon”, “Molla”, “Natura Morta” dhe së fundmi “Taso”, lutja, për herë të parë, nuk i drejtohet më një teme të caktuar, porse ofrohet si një vështrim i krijuesit në dimensionin e vet më shpirtëror, zhytur thellë në habitatin e tij, si prifti i lartë i qytetërimeve të para, në kërkim të gjuhës së vjetër, për të vazhduar atë dialog që nisi në gjenezë të kohës.
Në heshtjen tonë, ne të gjithë lutemi. Lutemi për shëndetin e trupit e më së shumti, lutemi për shëndetin e shpirtit.
Gazmend Leka e shpjegon lutjen nga pikëpamja e brendshme e artistit: “Lutja ime, në orët e pafundme në studio, është simotër me lutjet e gjithesejcilit prej nesh, në orët e pafundme, gjatë punëve të përditëshme. Artisti lutet duke krijuar. Lutet, që e gjithë energjia e tij të përcillet në veprën që krijon, e më pas të shkojë tek publiku, pa mbetje. Të gjithë shijojnë krijimin e kryer, por askush nuk e di, që pas veprës, veҫ kënaqësisë, tensionit e përkushtimit, ajo ҫka i mpiks të tëra, është lutja. Këtë doja të zbuloja këtë herë në sytë e tyre. Si gjithë krijuesit dhe unë ҫdo ditë që krijoj, humb energji nga shpirti im. Vdes ҫdo ditë nga pak dhe ringjallem në vepër.”
“Lutja” është një akt i gjatë që kryhet në vetmi të plotë. Në shurdhërinë e hapësirës, si për të gjithë ne, ashtu dhe për artistin, ajo është kredhja në një dimension tejet personal, ku rregullat dhe arsyeja tokësore bëhen të pafuqishme e përthyhen.
“Lutja” është akti përgatitor para kryerjes së një riti antik, që ndoshta zë fill që nga muret e errëta të shpellave prehistorike.
“Lutja” është akti i murgjve, para pikturimit të ikonave, për t’i bekuar ato me frymë krijimi.
“Lutja” është një akt i thellë shpirtëror, para se të ngjizet vepra. Është shpërthim që paraprin mpiksjen e imazhit mbi sipërfaqen e bardhë sterile. Penelat, telajot, tavoloci i stërmunduar… të gjitha janë aty, gati për t’u sakrifikuar.
Ta flasësh e ta përflasësh atë, është gjithnjë e vështirë. Pavarësisht bisedave të gjata me artistin, në momentin fundor, logjika të bën të kuptosh, që ajo është një territor metafizik, që nuk duhet prekur, por si pa kuptuar, ajo bëhet e vërtetë për të gjithë ne.
Duket sikur artisti krijon Gjithçka nga Hiçi, pasi krijimin vërtet e paraprin Heshtja e Madhe. E gjatë sa një fraksion sekonde, apo sa një përjetësi, artisti dhe objektet që e rrethojnë, humbasin gravitet. Ato ngrihen nga dimensioni tokësor, për t’u rigjetur në një nivel të ri metafizik, ku marrëdhënia me hapësirën dhe hyjnoren, ngjizen përfundimisht ndryshe.
Kjo ekspozitë i dedikohet kësaj Heshtjeje të Madhe. Aty, si në një manifest artistik, pesha e arsyes dhe trupi i artistit, përhumben në një perspektivë personale, ndërkohë që studioja kthehet në tempullin e tij vetjak. Ai është aty, i vetëm, me personazhe reale e irreale, me miq e demonë, erën e vajit të linit dhe tingujt e muzikës. Mes rrëmujës së përhershme, ato ngatërrohen e përzihen njëra me tjetrën. Në mes të kësaj rrëmuje, i përulur, fanitet imazhi i tij, që endet i vetmuar në studio, i përndjekur shpesh nga imazhi i fundmë i një varri fantazmë, apo nga një hije-kryq “i rastësishëm”, gjithë-përfshirë në një dimension shpirtëror të thellë, tërësisht i zhveshur nga çdo gjë materiale, si në një rit shamanik, ku qiellorja dhe tokësorja bëhen njësh.
Piktori përfundon: “Kur kthej kokën pas, ekspozitat pararendëse, “NATURA MORTA” dhe “TASO”, më shfaqen si prelud i ekspozitës “LUTJA”. Temat, si ҫasti i fundit i kalimit, apo artisti në habitatin e vet, në këtë ekspozitë të fundit, besoj se vijnë me një forcë e me një frekuencë piktorike më të madhe edhe për faktin se trupi dhe fryma ime, janë personazhi qëndror, në një simbiozë të thellë me ateljenë time.”