MENU
klinika

Muzeu Historik Kombëtar

Rinis veprimtaria “Një pasdite në muze!”

26.09.2018 - 12:36

Muzeu Historik Kombëtar ka nisur sezonin e ri me një sërë aktivitetesh kulturore. Ekspozita në kuadër të ditëve të shënuara të kalendarit, ekspozita të piktorëve të mirënjohur shqiptarë e shumë aktivitete të cilët janë parashikuar të zënë fill në muajt në vijim.

Ditën e enjte, datë 27 shtator, ora 17.00, pranë bibliotekës së Muzeut Historik Kombëtar rinis veprimtaria “Një pasdite në muze!” me temë: “Veprimtaria e Ded Gjo Lulit në kryengritjen e Malësisë së Mbishkodrës në vitin 1911”. Këto takime periodike bëhen me qëllimin për të sensibilizuar shoqërinë shqiptare mbi çështje të ndryshme të historisë, kulturës dhe trashëgimisë kombëtare shqiptare. Gjithashtu, veprimtaria “Një pasdite në muze!” ka për qëllim ngjizjen e një debati profesional në disiplina të ndryshme.

Për të referuar për këtë temë do të jenë të pranishëm Dr. Dorian Koçi, Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar dhe Dr. Paulin Marku, Instituti i Historisë, Akademia e Studimeve Albanologjike, Tiranë.

Dedë Gjo Luli u dallua në luftën e organizuar nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit për mbrojtjen e Hotit e të Grudës, që në bazë të vendimeve të Kongresit të Berlinit duhej t’i dorëzoheshin Malit të Zi. Aftësitë e tij si organizator dhe prijës luftarak u shfaqën sidomos gjatë Kryengritjes kundërosmane të vitit 1911. Në bashkëpunim me qarqet atdhetare parashtroi Memorandumin e Greçës, kërkesën për autonominë territoriale-administrative të mbarë Shqipërisë. Edhe mbas Shpalljes së Pavarësisë, për shkak të gjendjes së krijuar nga luftërat ballkanike dhe nga vendimet e padrejta të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, Dedë Gjo Luli vazhdoi luftën për mbrojtjen e vendit dhe bashkimin kombëtar. Më 24 Shtator 1915 forcat serbo-malazeze e vranë pabesisht në Sheshëz afër Oroshit (Mirditë).