MENU
klinika

Shullazi 'ndez' Prokurorinë

Sherr mes prokurorëve, Prela thërret policinë

21.09.2018 - 11:38

Revoltë tek Krimet e Rënda. Një sherr i madh ka ndodhur dje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ku madje është thirrur për ndihmë policia.

Çështja “Shullazi” ka ndezur gjakrat mes prokurorëve që refuzuan të uleshin në bankën e akuzës duke i kërkuar llogari drejtueses së Prokurorisë së Krimeve të Rënda Donika Prela për masat disiplinore.

Për të qetësuar situatën Prela ka thirrur policinë. Dy grupe të gatshme qëndruan te Krimet e Rënda deri në kthimin e gjendjes në normalitet.

Lëvizjet e fundit të befta në Prokurori kanë sjellë një situatë aspak normale në organin e akuzës që përfaqëson shtetin. Dje Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku urdhëroi caktimin e përkohshëm të 3 prokurorëve për Krimet e Renda, në Berat, Pukë dhe Pogradec.

Konkretisht Olsian Çela nga Prokuroria për Krime te Rënda, transferohet në Prokurorinë e Beratit. Ndërkohë Sonila Muhametaj nga Prokuroria për Krime të Rënda u transferua në Prokurorinë e Pukës.

Lëvizjet kanë prekur edhe Besim Hajdarmatajt, prokuror i çështjes “Tahiri” i cili është transferuar nga Prokuroria për Krime të Rënda në Prokurorinë Pogradec.

Po kështu Arta Marku kërkoi hetimin disiplinor të 10 prokurorëve që refuzuan gjykimin e çështjes ‘Shullazi’.

Kryeprokurorja e përkohshme kishte urdhëruar kreun e Drejtorisë së inspektimit në Prokurori Sokol Stojani që të hetonte 10 kolegët e tij, por ky i fundit nuk ka pranuar. Pavarësisht se Stojani është caktuar në këtë detyrë nga vetë Marku, ai ka pasur një sërë pakënaqësish madje edhe debate me kryeprokuroren. Ndaj kjo e fundit e ka lëvizur nga detyra Sokol Stojanin, por ende nuk dihet pozicioni i tij i ri.