MENU
klinika

Guvernatori Sejko pret ambasadorin

Trokasin investimet hungareze

28.09.2018 - 08:36

Këtë vit, pritet të realizohet investimi më i rëndësishëm hungarez në Shqipëri. Banka OTP do të blejë filialin shqiptar të bankës Societe Generale. Ky transaksion i ka dhënë një zgjim interesit për të rritur bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, priti në një takim zyrtar Ambasadorin e Republikës së Hungarisë në Shqipëri, Lóránt Balla. Ambasadori tha se investitorë hungarezë kanë shfaqur interes për të investuar në sektorë të ndryshëm në Shqipëri. Ai vuri në dukje se ky interes i shfaqur deri tani prej tyre mund të shërbejë për të rritur besueshmërinë dhe për të tërhequr më shumë investitorë edhe nga vende të tjera në të ardhmen.

Nga ana tjetër, Ambasadori u shpreh se vazhdimi i reformave është një element mjaft i rëndësishëm, frytet pozitive të të cilave do të ndikojnë pozitivisht në krijimin e një ambienti edhe më atraktiv për investitorët e huaj. Ai theksoi se falë këtij progresi, Shqipëria ka tërhequr tashmë vëmendjen e mjaft vendeve, e veçanërisht në fushën e turizmit.

Guvernatori Sejko u ndal në zhvillimet ekonomike të vendit, ku u shpreh se ekonomia shqiptare ka vijuar të ecë me një trend pozitiv zhvillimi, e mbështetur nga përmirësimi i ambientit të huaj dhe kushtet e favorshme financiare në vend. Ai theksoi se shifrat e fundit tregojnë një drejtim mjaft pozitiv, e megjithatë ambienti mbetet ende mjaft sfidues dhe nevoja për progres të mëtejshëm do të vazhdojë të jetë në vëmendjen e institucioneve shqiptare.

Lidhur me zhvillimet financiare, Guvernatori nënvizoi se sistemi bankar shqiptar mbetet i mirëkapitalizuar, likuid dhe financiarisht i shëndetshëm, dhe Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të ushtrojë me profesionalizëm rolin e saj rregullator, në funksion të zhvillimit të mëtejshëm të tij.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


223 mln euro në tremujorin II

Bien investimet e huaja