MENU
klinika

Rekord biletash të shitura

“Carmen” shkon në Korçë

05.10.2018 - 11:12

Opera “Carmen” do rihapi dyert për publikun në datat 27,28,29 dhe 30 shtator dhe riktheu në skenë sopranon e dashur për publikun shqiptar, Vikena Kamenica. Këtë herë nën dirigjimin e serbit Dejan Savic dhe regji të të mirënjohurit Gëzim Myshketa, Opera “Carmen” arriti një tjetër sukses.

Duke parë interesin e madh të publikut për të ndjekur Operën “Carmen”, jo vetëm në Tiranë, Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit vendosi që të shfaqë kryeveprën “Carmen” në qytetin e Korçës.

Teatri “Andon Zako Çajupi” në Korçë do të hapë dyert për publikun artdashës në datat 5 dhe 6 tetor. Biletat për Operën “Carmen” u shitën të gjitha ditë përpara premierës në “Parisin e vogël.

Për të sjellë në skenë në versionin më të mirë të Operës “Carmen” angazhohen plot 170 artistë mes tyre jo vetëm tenorë e soprano, por edhe balerinë të shquar e aktorë të mirënjohur ku vlen për t’u përmendur pjesëmarrja e veçantë e Tinka Kurtit në një rol të shkruar enkas për të.

Në rolin kryesor, atë të Carmenit, rikthehet mezzo-sopranoja Vikena Kamenica. Ajo e ka interpretuar edhe më herët këtë rol, por tashmë vjen më e pjekur artistikisht. Pas një karriere të konsoliduar, si një nga këngëtaret më të rëndësishme të TKOB-së, ajo do të sjellë një Carmen më të plotësuar, më të thelluar, më të ndjerë.

Një luftë për dashurinë e lirinë, ku vdekja tragjike e personazhit kryesor në skenë shënjoi një epokë të re në Operan franceze që fillimisht u konsiderua kontroversale, do të mbërthejë për dy netë magjike publikun artdashës së qytetit të Korçës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kryevepra e Georges Bizet

TKOB rikthen Operën “Carmen”