MENU
klinika

Superliga, femrat

Çudi shqiptare, Tirana me 2 ekipe basketbolli

01.10.2018 - 16:50

Tirana e basketbollit për femra do të përfaqësohet nga dy ekipe. E çuditshme, por gjithçka është e mundur në Shqipëri. Pas hedhjes së shortit nga Federata Shqiptare e Basketbollit u vërejt se te kampionati femrave kishte diçka që nuk shkonte, pasi ekipi që do të zëvendësonte automatikisht Goga Basket nuk ishte ekipi i Apolonisë, që kishte luajtur në Play-Off, por një ekip X, i panjohur ende.

Sipas vendimit të kryesisë së basketbollit, të dhënë më 21 shtator 2018, në kategorinë e parë grupi A (Superliga e femrave) ishin: Flamurtari kampioni në fuqi, Vllaznia, Elbasani, Studenti dhe Tirana, por është shtuar edhe një ekip X (pas largimit të Goga Basket).

Ndërsa në grupin B, që është Kategoria e Dytë, por me emërtim tjetër, ishin: Skënderbeu, Partizani, Kamza, Apolonia, Teuta dhe Shoqata Tirana Basketboll Femra. Surpriza e madhe vjen sot, më datë 1 tetor, sepse në një komunikim nga FSHB-ja thuhet:

tirana basket femra
tirana basket femra

“Në vijim të Vendimit të KD-se, për zhvillimin e një Turi Paraeliminator, për plotësimin e 6-shes së parë të Grupit A, dhe konfirmimit te shoqatës Skënderbeu për të qenë pjesë e tij, sot shoqata e Skënderbeut ka konfirmuar tërheqjen nga kjo garë.

Si rrjedhojë, ekipi i gatshëm për te luajtur në këtë tur: Ekipi i Shoqatës Tirana Basketboll Femra, i bashkohet automatikisht Grupit A, si skuadra e 6-të plotësuese”.

Zgjidhet misteri: ekipi X është një Tirana e dytë. Natyrshëm edhe tifozëve të Tiranës mund t’u lindë një pyetje: Nga ndryshojnë “Ekipi i Shoqatës Tirana Basketboll Femra” nga “Shoqata Klubi i Basketbollit Tirana Femra”?

basketboll femra tirana
basketboll femra tirana

Duket si një lojë fjalësh, por në fakt janë dy ekipe të ndryshme për bardheblutë. Në futboll kjo nuk mund të ndodhë, pasi nuk lejohet përfaqësimi i një klubi me dy ekipe në të njëjtën kategori, por në basketboll duket normale të krijosh klub nga zero, të vjedhësh emrin, por njëkohësisht të kalosh direkt në Kategorinë 1, a thua se klubet e Kategorisë 2 nuk janë pjesë e basketbollit.

Nëse vitin që shkoi pritej me interes rivaliteti mes Flamurtarit dhe Tiranës, këtë vit me kë do të realizojnë ndeshje sfiduese vajzat e Viron Toskës? Po fanellën bardheblu cili nga ekipet do ta mbajë? Po tifozët, cilën nga “Tiranat” do të mbështesin dhe si do ua vënë emrin? Shumë dilema, por pa zgjidhje, një lëmsh i vërtetë…

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN