MENU
klinika

Nis NBA

Curry shkëlqen me Warriors që në start

17.10.2018 - 10:35

Sot në mëngjes ka startuar kampionati më i bukur i basketbollit në botë, NBA. Protagonistë në ditën e parë ishin kampionët në fuqi të Golden State Warriors përballë Oklahoma City Thunder dhe Boston Celtics që u ndeshën me Philadelphia 76ers.

Pas ceremonisë së dorëzimit të unazave të kampionit për arritjen e sezonit të kaluar, skuadra e drejtuar nga Steve Kerr, nisi mbrojtjen e trofeut përballë Thunder, duke triumfuar me rezultatin 108-100.

Edhe pse kundërshtarët nga Oklahoma nuk kishin në dispozicion Russell Wesbrook për shkak të problemeve fizike, ata i vunë në vështirësi vendësit, teksa në mesin e periodës së tretë morën avantazhin 66-69.

Pikërisht në këtë moment situatën e mori në dorë Stephen Curry, që ktheu rrjedhën e ndeshjes në favor të Warriors, i ndihmuar në periodën e fundit edhe nga saktësia e Looney-t dhe Kevin Durant.

“Ylli” i Golden State e mbylli takimin me 32 pikë, 9 asiste dhe 8 rikuperime, ndërsa Durant shtoi 27 pikë të tjera për Warriors. Për Thunder spikati Paul George po me 27 pikë, por që rezultuan të pamjaftueshme për të shmangur humbjen.

Nuk e diskutuan në asnjë moment suksesin Boston Celtics ndaj 76ers (105-87). E nisën disi me ritëm të ulët, por duke ardhur gjithmonë në rritje të besuarit e Brad Stevens, me 76ers që rezituan pak, duke u kënaqur vetëm me debutimin e Ben Simmons, që shënoi 19 pikë dhe kontrolloi 15 topa poshtë koshit, dhe me 23 pikët e 10 rikuperimet e Joel Embiid.

Celtics krijuan shkëputjen vendimtare në periodën e tretë falë lojës së mirë të Marc Morris, që e mbylli takimin me 16 pikë dhe 10 rikuperime, ndërsa më efikasi për Bostonin rezultoi Jayson Tatum me 23 pikë.

NESËR

Charlotte Hornets – Milwaukee Bucks

Detroit Pistons – Brooklyn Nets

Indiana Pacers – Memphis Grizzlies

Orlando Magic – Miami Heat

New York Knicks – Atlanta Hawks

Toronto Raptors – Cleveland Cavaliers

Houston Rockets – New Orleans Pelicans

San Antonio Spurs – Minnesota Timberwolves

Sacramento Kings – Utah Jazz

Los Angeles Clippers – Denver Nuggets

Phoenix Suns – Dallas Mavericks

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN