MENU
klinika

NBA

Denver nuk ndalet, spektakël në Michigan

24.10.2018 - 10:55

Denver Nuggets nuk njeh pengesa në fillimin e kampionatit të NBA, teksa sot ka fituar ndeshjen e katërt radhazi në po kaq takime të zhvilluara. Në “Pepsi Center” të Colorados, Nuggets mposhti Sacramento Kings me rezultatin 126-112.

Plot 8 lojtarë të skuadrës vendase regjistruan një kuotë pikësh me dy shifra edhe pse pikëshënuesi më i mirë rezultoi Bagley i Sacramentos me 20 pikë. Denver e vulosi fitoren që në pjesën e parë pasi në fund të saj kryesonte me 13 pikë avantazh. Nuggets kryeson renditjen e Konferencës së Perëndimit pas 4 ndeshjeve të para.

Vijon momenti pozitiv edhe për New Orleans Pelicans. Në “Smothie King Center” formacioni i trajnerit Alvin Gentry tregoi dhëmbët edhe përballë Los Angeles Clippers, duke marrë fitoren e tretë radhazi në këtë sezon, këtë herë me shifrat 116-109.

Anthony Davis me 34 pikë, 2 asiste dhe 13 topa të kontrolluar poshtë tabelës, ishte basketbollisti më i mirë mbi parket  për Pelicans. Ndërkohë Clippers-ave për të evituar humjen e dytë nuk i mjaftuan 50 pikët e dyshesh Harris-Gallinari.

Ndeshja më spektakolare u zhvillua në Michigan. Detroit Pistons i shkaktoi humbjen e dytë Philadelphia 76ers, pasi triumfoi pas kohës shtesë me rezultatin 133-132 për meritë edhe të yllit të ekipit Blake Griffin, i cili bëri një paraqitje fantastike.

Me 50 pikë 6 asiste dhe 14 rebound, Griffin ishte thjesht madhështor. Te Philadelphia, në mungesë të Ben Simmons, për shkak të problemeve në shpinë, spikatën Embid me 33 pikë dhe J.J Reddick me 30 pikë. Për Detroit, kjo ndaj 76ers ishte fitorja e tretë me Pistons, që ruajtën ecurinë perfekte në këtë sezon.